Aktualitet

Vrau Halil Kokën 2 javë më parë, shpërthim tritoli pranë banesës së Ilir Koçiljas

Tritoli është vendosur pranë banesës së Ilir Kociljas, autorit të vrasjes së Halil Kokës.

f.t
Vrau Halil Kokën 2 javë më parë, shpërthim tritoli
Ilir Koçilja dhe Halil Koka

DURRËS-Një shpërthim me lëndë eksplozive është dëgjuar mbrëmjen e sotme në lagjen nr.4 të Durrësit pranë shkollës Bedrie Bebeziqi. Tritoli është vendosur pranë banesës së Ilir Koçiljas, autorit të vrasjes së Halil Kokës, nipi i ish-ministrit Lefter Koka pas sherrit që pati me të për vendin e parkimit. 

Policia ka mbërritur në vendngjarje për hetimin e rastit. Raportohet se bëhet fjalë vetëm për dëme materiale. 


Njoftimi i policisë:

Më datë 26.02.2024, rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I. K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve.

46-vjeçari Halil Koka u vra me thikë në zemër nga fqinji i tij Ilir Koçilja meditën e 14 shkurtit në lagje numër 4 të qytetit të Durrësit. Sherri mes tyre nisi në oborrin e pallatit e më pas u zhvendos disa metra më larg, në rrugë kryesore, përpara shkollës 9-vjeçare “Jusuf Puka”. Pas përplasjes fizike mes tyre, 46-vjeçari tentoi të largohej me vrap, por u ndoq nga agresori i cili e qëlloi dy here me thikë.

Në polici, Kocilja është shprehur se nuk kishte pasur për qëllim të vriste fqinjin e tij dhe ka menduar se vetëm e ka plagosur. Koçilja tregoi se i kishte gërvishtur mjetin Halil Kokës pasi ky i fundit vazhdonte ta parkonte para pallatit. E sipas tij, ditën e ngjarjes, Halil Koka e kërcënoi.

“Me Halili Kokën ishim fqinj. Kemi qenë shokë, por kohët e fundit nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi…”, ka thënë Ilir Koçilja në dëshminë e tij para policisë.

Nuk dihet ende nëse ngjarja e sotme ka lidhje me vrasjen e Kokës 2 javë më parë./ZËRI

Poll

MOS HUMB