LIBRAZHD-Një aksident me pasojë fatale është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Librazhd, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi automjeti që drejtonte u godit nga një gur i shkëputur nga mali.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30. Dyshohet se një masë shkëmbore është shkëputur nga faqja e malit dhe ka rënë mbi një automjet tip 'Benz', që drejtohej nga shtetasi me inicialet A.H., banues në fshatin Gjergjan, Elbasan.
Për shkak të goditjes së fortë, 42-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Menjëherë pas sinjalizimit, në zonë kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po kryejnë veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave dhe shkaqeve të këtij rasti./ZËRI