TIRANË- Ditëlindja e Kryeministrit Edi Rama përkon sot me protestën e 35-të radhazi të thirrur në Tiranë për dorëheqjen e tij. Ndërsa Kryeministri Edi Rama shënon 62-vjetorin e lindjes, mbrëmjen e sotme në orën 19:00 është thirrur protesta e 35-të radhazi kundër tij.
Ky 4 korrik, shënon ditëlindjen e kreut të qeverisë dhe një tjetër përballje të tij me protestat që prej më shumë se një muaji kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.
Vetë kryeministri Rama ka ndarë një mesazh falënderimi në rrjetet sociale për të gjitha urimet e marra gjatë ditës, shoqëruar me një foto të realizuar me Inteligjencë Artificiale, ndërsa ka ironizuar komentet negative.
“Faleminderit për urimet e panumërta… e pamundur t’u përgjigjem të gjithave, prandaj po ju përcjell këtu falënderimin, bashkë me ndjesën e mospërgjigjes në telefon. Dhe faleminderit edhe për sharjet që nuk do të mungojnë më poshtë, sepse urrejtësit besnikë janë prova më e sigurtë që nuk po jeton kot”, shkruan Rama.
Nga ana tjetër, organizatorët kanë njoftuar se protesta do të jetë mbarëkombëtare, ndërsa pritet pjesëmarrja edhe e shqiptarëve të diasporës, të cilët kanë udhëtuar drejt Tiranës për t'iu bashkuar tubimit.
Teksa kanë ngelur dhe pak orë nga protesta para Kryeministrisë, autokolona e mjeteve të diasporës ka mbërritur në Muriqan.
Në ditën e 24-të të protestës, qytetarët njoftuan se në datën 4 korrik, diaspora do të rikthehet në Tiranë për t'iu bashkuar protestës. Kjo është hera e dytë që diaspora mblidhet në Tiranë, duke e cilësuar ditën si një moment politik presioni dhe kërkese për ndryshim. Mesditën e 20 qershorit, diaspora mbushi kryeqytetit me thirrje e ngritje zëri për t'u mos u dorëzuar, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Grumbullimi pritet të nisë në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”, nga ku protestuesit do të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë dhe më pas në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Deri në këto momente, Policia e Shtetit nuk ka bërë të ditur një plan masash për mbarëvajtjen e tubimit, ndërsa mbetet për t’u parë zhvillimi dhe karakteri i protestës në mbrëmje./ZËRI