
TIRANË- SPAK i ka komunikuar akuzat Arben Ahmetajt, Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, në lidhje me inceneratorin e Elbasanit. Për të tre akuzat janë komunikuar në mungesë, përmes avokatëve të tyre.
Avokati mbrojtës i Arben Ahmetaj, Henrik Ligori, është njohur me akuzat që rëndojnë mbi klientin e tij, që janë korrupsion në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Sipas prokurorisë së posaçme, Ahmetaj ka përfituar rryshfet nga bosët e inceneratorëve, si pasuri të paluajtshme si dhe në formën e dhuratave apo pagesës së udhëtimeve.
Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash.
SPAK thirri për të marrë në pyetje pak ditë më parë dhe ish-bashkëshorten e Ahmetajt, Albina Maçka, për të cilën nuk është ngritur zyrtarisht një akuzë.
Mërtiri, Zoto dhe Ahmetaj rezultojnë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për aferën e inceneratorëve, por asnjëri prej tyre nuk është vënë në pranga nga ana e Policisë. Ahmetaj qëndron në Zvicër, ku ka nisur dhe procedurat për marrjen e azilit.
/ZËRI