Aktualitet

Studentët e Universitetit të Arteve të shqetësuar nga TKOBAP, letër Gonxhjas: Jemi të diskriminuar

Sipas studentëve të UAT, ata ndihen të përjashtuar nga politikat institucionale të TKOBAP.

E.K
Studentët e Universitetit të Arteve të shqetësuar nga
Universiteti i Arteve

TIRANË- Studentët e Universitetit të Arteve në Tiranë i kanë drejtuar këtë të martë një letër zyrtare Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja në lidhje me bashkëpunimin që ky universitet duhet të kishte me Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Bashkëpunim që sipas studentëve ka qenë minimalist dhe diskriminues për ta. Për letrën ata kanë vënë në dijeni dhe Kryeministrin Edi Rama. Sipas studentëve të UAT, ata ndihen të përjashtuar nga politikat institucionale të TKOBAP.

Këshilli studentor shprehet se marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar mes Universitetit te Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe TKOBAP e cila daton më 03/10/2019 nuk ndiqet me seriozitet nga TKOBAP.

“Një nga shqetësimet tona është fakti i përfshirjes masive të studentëve të Konservatorit të Salernos dhe Foggia (Itali), ku drejtori artistik i TKOBAP, Jacopo Sipari di Pescasseroli aderon si pedagog i klasës së dirizhimit, dhe për pasojë mosangazhimi i studentëve të universitetit tonë. Kjo sjellje e njëanshme bie ndesh si fillim me parimet kombëtare dhe më pas, me ato të barazisë dhe mundësisë për të gjithë studentët tanë. Mesa duket, TKOBAP e ka më të thjeshtë orientimin e taksapaguesve shqiptarë përkundrejt studentëve italianë sesa bashkëpunimin me Universitetin e Arteve Tiranë, i cili ndodhet jo më larg se 500 metra distance”, thuhet në letër.

Një shqetësim tjetër sipas tyre është publikimi i audicioneve te TKOBAP që sipas tyre publikohen fillimisht ne profilin e rrjetit social të drejtorit artisik, Jacopo Sipari, në gjuhën italiane, duke rënë ndesh me mospublikimin në të njëjtën kohë në faqen zyrtare të TKOBAP. Në fund ata Ishtrojën dhe 5 pyetje për institucionin.

Studentët e Universitetit të Arteve të shqetësuar nga
Letra
Studentët e Universitetit të Arteve të shqetësuar nga
Letra

LETRA E PLOTË:

Tiranë, më    /03/2024

Lënda: Shqetësimi i studentëve të Universitetit të Arteve Tiranë në lidhje me bashkëpunimin me TKOBAP.

Drejtuar:      Z. Blendi Gonxhja

                       Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

Për “dijeni”: Z. Edi Rama

                      Kryeministër i Shqipërisë

                      Znj. Ogerta Manastirliu

                      Ministër i Arsimit dhe Sportit

                      Znj. Abigeila Voshtina

                     Drejtoreshë e TKOBAP

 

I nderuar Z. Blendi Gonxhja,

Nëpërmjet kësaj letre, ne, Këshilli Studentor i Universitetit të Arteve Tiranë, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë mbi përqasjen e institucionit më të lartë dhe të vetëm artistik në vend, siç është Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Si pasojë e kësaj qasje, ne ndihemi të përjashtuar dhe të diskriminuar nga politikat institucionale.

Duke u nisur nga fakti se, Universiteti i Arteve është i vetmi institucion i arsimit të lartë në vend i cili diplomon artistë, si dhe anasjelltas, TKOBAP institucioni i vetëm kombëtar ku këta artistë mund të aderojnë, shprehim keqardhjen tonë si më poshtë:

Marrëveshja e bashkëpunimit të nënshkruar mes Universitetit te Arteve, Ministrisë së Kulturës dhe TKOBAP e cila daton më 03/10/2019 nuk ndiqet me seriozitet nga TKOBAP.

Një nga shqetësimet tona është fakti i përfshirjes masive të studentëve të Konservatorit të Salernos dhe Foggia (Itali), ku drejtori artistik i TKOBAP, Jacopo Sipari di Pescasseroli aderon si pedagog i klasës së dirizhimit, dhe për pasojë mosangazhimi i studentëve të universitetit tonë. Kjo sjellje e njëanshme bie ndesh si fillim me parimet kombëtare dhe më pas, me ato të barazisë dhe mundësisë për të gjithë studentët tanë.

Mesa duket, TKOBAP e ka më të thjeshtë orientimin e taksapaguesve shqiptarë përkundrejt studentëve italianë sesa bashkëpunimin me Universitetin e Arteve Tiranë, i cili ndodhet jo më larg se 500 metra distancë.

Përpos këtij fenomeni, një sërë aspektesh janë bërë tashmë shqetësuese për ne. Publikimi i audicioneve te TKOBAP publikohet fillimisht ne profilin e rrjetit social të drejtorit artisik, Jacopo Sipari, në gjuhën italiane, duke rënë ndesh me mospublikimin në të njëjtën kohë  në faqen zyrtare të TKOBAP.

Kjo qasje nuk na duket aspak serioze duke krijuar kushte dhe hapësira për diskutim rreth kritereve të cilat shpeshherë rezultojnë kontradiktore dhe të personalizuara.

Duke u ndodhur në këto kushte, ne ju drejtohemi me disa kërkesa mbi vlefshmërinë morale, juridike dhe profesionale të këtyre politikave që TKOBAP ndjek:

1.   Sa të ligjshme janë njoftimet për vendet e reja të punës, të ofruara edhe për kandidatë të huaj?

2.   A janë kontratat e punës me kohë të plotë për artistët e huaj të ligjshme, duke ju referuar Ligjit dhe Kushtetutës së Shqiperisë?

3.   Sa i ligjshëm është njoftimi për vendet vakante në faqen personale të drejtorit artistik Jacopo Sipari në gjuhën italiane, duke qenë se kjo nuk paraqitet si nje shtojcë e faqes zyrtare të TKOBAP, i cili në dijenin tonë është i vetmi burim zyrtar?

4.   A behet punësimi pranë TKOBAP me kërkesa të njejta për nivelin e studimit për secilin vend pune?

5.   A janë ata zotërues të minimalisht nivelit B2 të gjuhës shqipe?

Me besimin se ju do të merrni në vëmendje dhe shqyrtim shqetësimin tonë, ju falenderojmë për kohën tuaj.

Me respekt,

Këshilli Studentor i Universitetit të Arteve Tiranë./ZËRI

Poll

MOS HUMB