
TIRANË- Edhe mbledhja e sotme në Komisionin hetimor për koncensionet në Shëndetësi është zhvilluar me debate mes palëve. E gjitha nisi me kërkesën e opozitës që të shtyhet afati i punimeve, për të marrë në pyetje edhe kryeministrin Edi Rama dhe biznesmenen Vilma Nushi. Por maxhoranca është shprehur kundër, duke ngulur këmbë tek fakti se afati i përfundimit të hetimeve duhet që të përmbyllet më datë 14 nëntor.
PJESË NGA DEBATI:
Edmond Spaho: Ne s’mund ta mbyllim pa deponimin e Vilma Nushit dhe Edi Ramës. Koncesionet janë dhënë me firmën e Edi Ramës. Pa dëgjuar kryeministrin e pa dëgjuar përfituesen kryesore të koncesionit check up nuk mund ta mbyllim. Propozoj që të enjten të kërkojmë shtyrje të këtij komisioni.
Albana Vokshi: Kam kërkuar tek sekretariati që të vijë dhe Vilma Nushi e Gentiana Peposhi.
Plarent Ndreca: Arsyeja pse nuk thirren Peposhi dhe Nushi nuk kanë lidhje me kontratën e Check up. Aksioner është ‘3P life Logostik’. Nuk mund të thërrasim aksioner të aksionërëve. Nuk është mendimi jot, por është mendimi i Edi Ramës që të mos thërrasësh Vilmën
Albana Vokshi: Janë aksioner të kompanive. Ndaj edhe unë gjykoj që Vilma Nushi të vijë këtu. Nuk mbyllet ky komision pa ardhur njeriu kyç, Vilma Nushi dhe Edi Rama.
Ina Zhupa: Vilma Nushi ka marrë 1.5 mln euro divident nga ky konçesion, nga paratë publike të shqiptarëve.
Diskutimi u shtrua edhe për mungesën e mjekut Artan Lleshi, i cili dërgoi një raport mjekësor kur shprehej se e kishte të pamundur që të dëshmonte në Komision për shkak të një problemi që kishte në këmbë. Në fjalën e tij, deputeti demokrat Xhelal Mziu u shpreh se opozita ishte e gatshme që të shkonte në spital, apo në shtëpi, për t'i marrë dëshminë.
"Nëse ai është shumë keq dhe nuk lëviz dot, le të shkojmë ne si komision aty dhe ta pyesim zotërinë dhe ta shohim sa e rëndë është gjendja e tij. Do i sugjeroja dhe mazhorancës meqë ka vullnetin për ta mbrojtur le të gjejmë një mënyrë nëse është në spital të shkojmë në spital. Për të marrë një dëshmi. Jemi të gatshëm nëse e ka të pamundur. Por nuk ka asnjë lloj justifikimi dikush për të ardhur,"-tha Mziu në fjalën e tij.
Por sërish palët nuk kanë rënë dakord dhe debati për këtë çështje ka zgjatur për orë të tëra./ZËRI