
KOSOVË- Një person është arrestuar me urdhër të Prokurorisë në Kosovë, pasi dyshohet se ka qenë administrator i grupit “Albkings” në “Telegram”, ku bëhej shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të vajzave. Kjo u bë e ditur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ditën e sotme përmes një njoftimi për media.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se pas publikimit të informatave në media për aktivitetet e grupit “Albkings” në rrjetin social “Telegram”, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar hetime dhe në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës-Njësinë e Hetimeve të Krimeve Kibernetike ka ndërmarrë veprime hetimore në identifikimin e personave të cilët kanë menaxhuar këtë llogari dhe grupe të tjera që ndërlidhen me këtë grup, e përmes së cilit është bërë shpërndarja e fotografive dhe videove të ndryshme intime të femrave në aplikacionin e lartcekur, përfshirë edhe të dhënat personale të tyre për ofrimin e shërbimeve seksuale”, thuhet në njoftim.
Prokuroria shton se është arrestuar fillimisht i dyshuari dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë njëri nga administratorët e grupit në fjalë, për shkak të veprës penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”. Prokuroria shton se në koordinim me policinë do të vazhdojnë të ndërmerren veprimet tjera shtesë hetimore në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rast.
“Albkings”, promovonte dhe reklamonte foto e video nudo të vajzave të ndryshme shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri. Grupe të tilla janë denoncuar dhe nga ZËRI, por policia në Shqipëri nuk ka bërë hapa konkretë në vënien përpara drejtësisë të personave që fshihen pas tyre.