
PRISHTINË- Prokuroria Themelore e Prishtinës po heton lidhur me grupin në Telegram, ku shpërndahen foto dhe video në rrjete sociale, konkretisht në Telegram. Skandali, i cili u denoncua pak muaj më parë nga ZËRI, po hetohet në Prishtinë, duke futur në skaner rreth 100 mijë përdorues që përdorin imazhe për të shantazhuar dhe ekspozuar vajza të mitura. Në shënjestër të Prokurorisë është grupi "AlbKing".
Lidhur me çështjen që u denoncua nga ZËRI, KOHA ka pyetur në Polici, por nuk ka marrë asnjë përgjigje lidhur me rastin, ndërsa Prokuroria e Prishtinës ka bërë me dije se çështja po hetohet.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se jemi duke e trajtuar këtë çështje,”- ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Po ashtu, KOHA ka provuar të kontaktojë me disa nga vajzat që u janë shpërndarë të dhënat personale. Disa prej tyre pretendojnë se fotot që pretendohet se janë të tyre, nuk janë por po u përdoret emri për t'u bërë dëm. Megjithatë edhe pse po dëmtohen, nuk mund të bëjnë asgjë për të mbrojtur veten.
RRËFIMET E VIKTIMAVE:
Vajza 1: Nuk është hera e parë që kanë shpërndarë foto të miat. Kanë qenë edhe tre raste të fotove nudo, në të cilat nuk kam qenë unë, por kanë pretendu që jam. Në rast që nuk gjejnë material për personin specifik, krijojnë dhe shpërndajnë me raste të rreme, me raste jo. Personalisht e kam një shoqe që iu patën shpërnda foto nudo të rreme dhe ajo i ka mbyllur të gjitha rrjetet sociale për shkak të këtij fenomeni.
Vajza 2: Mua ma kanë përdorur foton kinse ia kam dërguar një djali, por atë foto e kam postu para 2 vjetëve dhe pa kaluar një javë e kam fshi. Do të thotë ka dalë shumë kontrast dhe për atë e kam përjetuar shumë rëndë. Rastin nuk e kam lajmëruar personalisht në Polici, por një i afërm imi po.
Por në grup kanë përfunduar edhe kontakte të zyrtarëve të lartë në Prishtinë, siç është edhe rasti i një anëtareje të kabintetit.
-
-
-
Zëri.ai zbuloi skandalin në Telegram, nisin hetimet
6 Tetor, 11:45
Aktualisht në rrjetin social 'Telegram' grupi "AlbKing" është aktiv që prej vitit 2022, e në faqe janë të shpërndara mijëra foto dhe video intime të vajzave nga Shqipëria dhe Kosova. Lidhur me rastin edhe ZËRI ka bërë një denoncim në Polici, por deri më tani, asnjë person nuk ka përfunduar në pranga. Ndërkohë që nga Prokuroria e Tiranës, nuk ka asnjë të dhënë se kanë nisur hetimet. Teksa institucionet janë të pafuqishëm për të vepruar, vajzat vazhdojnë dhe ekspozohen në rrjetet sociale./ZËRI