Aktualitet

Rikthimi i Lojërave të Fatit/ Ja sa do të paguhen kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Licencave

Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se pagesa e anëtarëve të komisionit do të bëhet mbi bazën e dokumentit (listëprezencë ose procesverbal), që vërteton pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit.

E.K
Rikthimi i Lojërave të Fatit/ Ja sa do të paguhen kryetari dhe
Foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Ministrave në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë ka vendosur pagesat që do të marrin kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Licencave për Lojërat e Fatit. Kështu, kryetari i Komisionit do të marrë 35 mijë lekë për mbledhje, ndërsa anëtarët e Komisionit do të paguhen me nga 30 mijë lekë të reja për mbledhje. Këto shpenzime do të mbulohen nga Autotiteti Mbikqyrës i Lojërave të Fatit. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se pagesa e anëtarëve të komisionit do të bëhet mbi bazën e dokumentit (listëprezencë ose procesverbal), që vërteton pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

VENDIMI:

“VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KOMISIONIT TË LICENCAVE NË AUTORITETIN E MBIKËQYRJES SË LOJËRAVE TË FATIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 8, të nenit 17/1, të ligjit nr.155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura në lidhje me aktivitetin e lojërave të fatit, pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit shpërblehen, si më poshtë vijon:

a) Kryetari i komisionit, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë për mbledhje;

b) Anëtarët e komisionit, në masën 30 000 (tridhjetë mijë) lekë për mbledhje.

2. Çdo pagesë e anëtarëve të komisionit bëhet mbi bazën e dokumentit (listëprezencë ose procesverbal), që vërteton pjesëmarrjen në mbledhjet e komisionit.

3. Efektet financiare për shpërblimin e anëtarëve të Komisionit të Licencave, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

4. Ngarkohet Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Çfarë thotë ligji?

Sipas projektligjit të kaluar në Kuvend në seancën e seancën e 15 shkurtit 2024, ata që do të duan të luajnë baste sportive online, do të duhet të regjistrohen me identitetin  e tyre në sistemet e kompanive të basteve, të cilat të do të jenë të detyruar që të dhënat e lojtarëve t’i ruajnë për tre vjet. Ndërsa qarkullimi i parave do të bëhet nëpërmjet sistemit bankar. Bastet sportive online do të jenë të detyruara të kenë të regjistruar lojtarët e tyre, dhe të dhënat do të duhet të ruhen për të paktën tre vjet. Këto baste, që specifikohen se do të jenë vetëm online, nuk do të kenë pika fizike, por faqe interneti, aplikacione dhe infrastruktura teknologjike e nevojshme që mundëson aktivitetin brenda kornizave të përcaktuara dhe që janë të monitorueshme. Qeveria vendosi të rikthejë bastet sportive 5 vite pasi u mbyllën. Bastet sportive u shpallen të paligjshme më 1 janar 2019./ZËRI

Poll

MOS HUMB