
TIRANË- Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka diskutuar sërish sot lidhur me projektligjin e ri për lojërat e fatit. Në mbledhjen e sotme në Komision ishin të ftuarVasilika Vjero, zëvendësministre e Financave, Zhani Çakuli, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, ndërsa edhe sot munguan deputetët e opozitës.
Me draftin e ri pritet të shtrëngohen kriteret për kompanitë që do të përfitojnë licencë, si dhe është prezantuar një sistem pikëzimi për renditjen e kompanive garuese.
“Drafti ka pësuar ndryshime. Janë riparë kriteret për kompanitë që duhet të licencohen. Licencat fillojnë nga një nivel minimal dhe kush ofron me shumë do të ketë avantazh me shumë. Ulet fasha e atyre që luajnë për Bingon televizive nga 21 në 18 vjeç,”- tha zv.ministrja.
Propozimet më interesante i bëri ish-zv.kryeministri Erion Braçe, i cili kërkoi të ndiqej shembulli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku FBI jep miratimin e fundit për hapjen e kazinove. Sipas tij, në Shqipëri, duhet të jetë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, institucioni që do të kontrollojë personat që do të marrin nismën për të hapur një biznes të tillë. Po ashtu, Braçe kërkoi edhe ndryshim në mënyrën e taksimit, ku kërkoi që shteti të ndërhyjë tek të ardhurat.
"Që ne të marrim nga çdo 100 lekë të luajtur, vetë 1,5 lekë, domethënë mua më duket se e gjithë kjo përpjekje kaq e madhe për t’i ligjëruar këto baste që janë në të zezë, është thuajse e papërfillshme, e mbi të gjitha kur ne në këto llogari duhet të pranojmë pretendimin e tyre, që në 100 lekë, ata shpërndajnë 90 lekë për lojtarin, që unë të pranoj këtë duhet të jem i çmendur. Propozimi im ka të bëjë me sistemin e taksimit. Unë dua të di nga qeveria është pro apo kundër që ta di ta bëj propozim me shkrim për herën tjetër,"-tha Braçe, megjithatë nuk mori asnjë përgjigje. Ndër të tjera, deputeti socialist tha se qeveria duhet të japë përgjigje a është pro një platforme shtetërore unike për Lojërat e Fatit.
"Cilido program rehabilitimi të krijohet nga qeveria, nuk i mbron lojtarët më shumë se demotivimi për ta luajtur atë lojë. Interesi është që sa më shumë njerëz të demotivohen për ta luajtur lojën. Se sa më shumë ta luajnë aq më shumë humbasin. Masa që demotivon njerëzit të luajnë duhet të ishte pjesë e ligjit. Do doja një përgjigje nga ana e qeverisë për një platforme shtetërore, nëse qeveria është pro apo kundër këtij propozimi. Krijimi i një pasqyre, ku ka akses organi shtetëror, është një lloj zgjidhje e ndërmjetme, por do doja të dija nga ana e qeverisë për propozimin që platforma të jetë unike e shtetit dhe të gjitha kompanitë ta aksesojnë, është pro apo kundër."
DISKUTIMI I PLOTË:
Vasilika Vjerro: Duhen shtuar ligje dhe programe për mbrojtjen e lojtarit. Të ardhurat do të rishpërndahen për projekte dhe do të mbrojnë e ndërgjegjësojnë lojtarët. Drafti ka pësuar ndryshime pozitive. Kemi diskutuar edhe mbi Llotarinë Kombëtare dhe Bingon televizive. Është parashikuar ulja e tarifës së licensimit. Kemi dashur të ruajmë një standart për të gjitha veprimtaritë e lojravë të fatit. Norma e fitimit është parashikuar që të ulet, 50 me 50, për të ruajtur një normë bashkë me vendet e rajonit. Një çështje tjetër ka të bëjë me fashat orare. Kemi vendosur orën 20.00, për çështjet e tjera kemi një dakordësi, drafti është shumë i plotësuar.
Braçe: Çfarë është kjo norma e fitimit? 50-50 se nuk po e kuptojmë.
Vasilika Vjerro: Bëhet fjalë për normën e fitimit që i kthehet lojtarit në rastin e Lotarisë apo Bingos. 80% e ka Bingo dhe 60% e ka llotaria kombëtare. Është neni 19 i ligjit 185.
Braçe: Unë blej një biletë 200 lekë dhe nuk fitoj, çfarë më kthehet mua?
Shalsi: Asgjë.
Braçe: Unë blej një biletë 200 lekë dhe fitoj, ta zëmë 1 milion lekë, mua do më kthehet 80% e 1 mln lekëve. Ka një fitues, sa do më kthehet mua se nuk e kuptoj?
Zhani Çakuli: Ti do marrësh shumën e plotë, bëhet fjalë sa organizuesi hedh në treg. Bëhet fjalë për biletat fituese, pra 50% do të jenë në lojë.
Shalsi: Blihet një biletë, shitet dhe grumbullohet një fond i caktuar parash. Nuk është çështja tek biletat fituese, aktualisht 80% kthehet tek blerësit. Një pyetje sot, pse bota e ka 50%, një pyetje nuk i përgjigjeshim dot: 80% e marrin fituesit, 12 i merr shteti, 8% shitësi, pse organizohet llotaria? Apo është aktivitet bamirës? Synimi dhe të jetë që cilado kompani të ketë vetëdeklarim. Kjo është llogjika.
Braçe: Unë kam bërë disa propozime, natyrisht që propozimet i kam bërë për qeverinë, unë miratim nga grupet e interesit nuk dua sepse e di që shkojnë ndesh me interesat e tyre. E kisha për këta që mbajnë baste aktualisht. Nuk kemi asnjë lloj përqasje. Propozimet e mia, e para është kriminalizimi i këtij sektori. Propozimet që kam sjellë kanë lidhje me këtë gjë. Ishte kriminal, e mbyllëm, është kriminal sot në të zezë. Nga aq sa ka sjellë ligji. E dyta është problem ka të bëjë me demotivimin e njerëzve. Unë besoj që interesi është që sa më shumë njerëz të demotivohen. Sa më shumë ta luajnë aq më shumë do humbasin. Masa të tilla duhet të ishin pjesë e ligjit. Thënë të gjitha këto do të doja një qëndrim nga ana e qeverisë, një platformë shtetërore që aksesohet nga ata që duan të luajnë. Natyrisht që ajo që ju thoni është një zgjidhje. Sistemi i taksimit është një shqetësim tjetër i të gjithë sistemit. Që ne të marrim nga çdo 100 lekë i luajtur vetëm 1.5 lekë, mua më duket se e gjithë kjo përpjekje për t'i ligjëruar është thuajse e papërfillshme. Mbi të gjitha kur duhet të pranojmë se ata nga 100 lekë shpërndajnë 90 lekë për lojtarë. Që këta të vriten e të shkapërlyhen, të shkëlyhen dhe të zhdukjen vetëm për 4.3 lekë në 100 që luhen...duhet të jesh i çmendur që ta besosh. Që këta vriten me njëri-tjetrin rrugëve për 4.3 lekë, sinqerisht duhet të jesh i çmendur që ta besosh. Prapë tek sistemi i taksimit, fituesit janë pa taksa, por a është e drejtë kjo. Unë mendoj që është e padrejtë. Të rrish gjithë ditën e kuqe e zezë, e në darkë të bësh analistin në televizione, dhe të mos paguajë asnjëlloj tatimi për asnjë nuk fiton? Ndërkohë që ai që është brenda asaj studios ku ky jep mend dhe bën analiza të mëdha për qeverisjen, por brenda asaj studios ka njerëz paguajnë. O do të jemi të drejtë, sidomos me parazitët e bixhozit. Ka një sistem të kontrollit të deputetit shumë shtrëngues. Po sikur ta aplikojmë edhe për këta që duan të bëhen pjesë e lojravë të fatit. Pra, sikur të aplikojmë sistemin e kontrolli për çdo qeveritar. Të vetmit që shtrëngohemi jemi ne, a ka mundësi që të shtrëngohen edhe ca të tjerë? Kontrollin e fundit ta japi një organ si SPAK, ka problem? Për shembull më ka rënë në vesh që miratimin për kazinot në Amerikë e jep FBI-ja. Kaq kisha.
Shalsi nënvizoi se objektivi primar i ndryshimeve është formalizimi i tregut të basteve on-line dhe renditi disa propozime të ardhura për rishikimin e projektligjit në lidhje me mënyrën e organizimit dhe konkurrimit të garës për dhënien e licencave on-line; forcimin e sistemit të sigurisë dhe përdorimin e sistemeve që lënë gjurmë, në mënyrë që platformat të bëhen të pa manipulueshme; incentivimin për pjesëmarrjen e kompanive serioze dhe me potencial ekonomik; garantimin e transparencës së vendimmarrjes së komisionit të licencimeve, etj. Ndërsa zëvendësministrja e Financave, Vasilika Vjero bëri një përmbledhje të çështjeve të dakordësuara dhe ndryshimeve të draftit, duke sqaruar se ndryshimet garantojnë: uljen e informalitetit; mbledhjen e të ardhurave dhe rishpërndarjen e fondeve për çështje që mbështesin sportin, inovacionin dhe kulturën; vendosjen e kritereve shumë të forta të licencimit dhe përzgjedhjen e kompanive serioze; vendosjen e një sistemi shumë transparent të pikëzimit dhe përzgjedhjes së kompanive, etj. Në fund, kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi tha se drafti është azhornuar në disa pika, ku elementi shtesë në lidhje me dhënien e licensave është gara me kritere pikëzimi, ku të merret parasysh edhe oferta ekonomike, por po ashtu njoftoi se shqyrtimi i projektligjit do të vijojë në një mbledhjet e radhës.
Nga miratimi në ligj i lojërave të fatit ‘baste sportive’, vlerësohet të arkëtohen në buxhetin e shtetit rreth 2 miliardë lekë taksa në vit. 31 dhjetori 2018 ishte dita e fundit që në Shqipëri u lejua vendosja e basteve, më pas në vend në kuadër të operacionit "Fundi i Marrëzisë", gjithçka u ndalua. Edhe pse fenomeni i basteve sportive nuk u zhduk. Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo kategori ishin 38.4 milion euro, dhe në 2017-n 44.5 milionë euro, ku vetëm bastet kishin derdhur 15 milion euro në arkën e shtetit. Por me ndalimin, kontributi në buxhet i bixhozit ra në 6 milionë euro në 2020-n, ndërsa vitin e shkuar, u arkëtuan 12.8 milionë./ZËRI