Aktualitet

Kanabisi mjekësor/ Merret VENDIMI, ja sa do të paguhen anëtarët e Komisiont të Licencave

Kështu çdo anëtar do të marrë 25 mijë lekë të reja për mbledhje, ndërsa nuk lejohen më shumë se 12 mbledhje në vit.

E.K
Kanabisi mjekësor/ Merret VENDIMI, ja sa do të paguhen
Foto ilustruese

TIRANË- Këshilli i Ministrave në mbledhjen e zhvilluar këtë të mërkurë ka miratuar pagën që do të marrin anëtarët e Komisonit të Licencave për kultivimin e kanabisit mjekësor. Kështu çdo anëtar do të marrë 25 mijë lekë të reja për mbledhje, ndërsa nuk lejohen më shumë se 12 mbledhje në vit. Kjo pagesë do të përballohet nga Ministria e Mbrojtjes Sociale dhe Riunisë. 

VENDIMI:

VENDIM PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË PAGESËS PËR ANËTARËT E KOMISIONIT TË LICENCAVE PËR KULTIVIMIN E CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Anëtarët e emëruar në Komisionin e Licencave për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore përfitojnë një pagesë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë komision, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) lekë për mbledhje, por jo më shumë se 12 (dymbëdhjetë) pagesa në vit.

2. Ky vendim i shtrin efektet financiare nga momenti i bërjes efektiv të komisionit dhe këto efekte përballohen brenda buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

3. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.”

Qeveria ka miratuar projektligjin për kultivimin e kanabisit mjekësor më 16 Qershor të vitit 2023. Projektligji detyron ngritjen e Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e kanabisit, e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. /ZËRI

Poll

MOS HUMB