
TIRANË- Partia Socialiste është tërhequr sot nga votimi në Kuvend i projektligjit për “Lojërat e Fatit”. Një nga pikat për diskutim sot në senacën plenare ishte dhe projektligji për “Lojërat e Fatit”, e cila u tërhoq nga socialistët, duke mos e çuar në votim. Kreu i grupit të PS, Bledi Çuçi kërkoi tërheqjen e tij nga rendi i ditës në mënyrë të pashpjegueshme. Gjatë seancës së sotme, mes kaosit të shkaktuar nga opozita, me 74 vota pro, u miratua heqja nga rendi i ditës i nismës ligjore për lojërat e fatit.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 155/2045 për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar” do të diskutohej këtë të enjte në Kuvend, por kryeparlamentarja Lindita Nikolla njoftoi miratimin e kërkesës së mazhorancës për shtyrjen e diskutimeve. Nuk dihet ende se kur do të jetë data e re për votimin e projektligjit.
Ndërkohë sa i përket tërheqjes nga votimi për projektligjin e Lojërave të Fatit, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe tha se nuk ka një përgjigje për këtë, por fakti që u tha se duhej të miratohej me urgjencë, nuk justifikon tërheqjen e mazhorancës.
Erjon Braçe: Nuk di gjë pse u tërhoqe. Më ka lënë një shije të keqe pasi u argumentua me nevojën dhe urgjencën që kemi për të formalizuar këtë treg. Emergjenca që na u tha se duhej për miratim nuk e justifikon tërheqjen. Unë nuk tërhiqem nga propozimet e mia. Sa kohë kemi këtë urgjencë edhe faktin që janë informale patjetër që duhej miratuar sa më shpejt të jetë e mundur. Mos e vini jetën tuaj në tavolinën e roletës, nuk ka dalë njeri i fituar nga kjo histori. Unë jam kundër. Nuk besoj se e ka vuajtje shpirtërore njeri se nuk luan bixhoz. Unë jam kundër.
Por situata ku ndodhemi se ky aktiviteti është i qartë në territor i shtrirë në territor duhet një ndërhyrje shumë e fortë për të bërë një përpjekje për legalizim. Demotivim sa më shumë i çdo lojtari. Duhet me rregulla. E para ishte reklama. Amendimet që ju bënë projektligjit në komisionin e ekonomisë synojnë që të ndalohet reklama. Edhe influencer t’ju ndalohet reklamimi i kazinove. Janë disa vajza që e bëjnë këtë gjë dhe me vjen keq ashtu siç ka dhe djem. Të ndalohet reklamimi i tyre. Do lejohet vetëm në ambiente sportive. Pjesën tjetër do të lejohet nëpër stadiume. Ky aspekt u mor parasysh. Sa kohë që ne u përballëm me këtë përvojë dhe sot është në duar të krimit. Ata e kanë kurajon ta bëjnë këtë aktivitet sot. Edhe të marrin përfitime dhe të blejnë policë. Përtej këtyre kërkova që një nga miratimet për ata që do të marrin licensat duhet ta jepte SPAK-u. Do ishte krejt normale që ai institucion të japë një nga miratimet që kërkohen në ligj për atë që do të licensohen për lojërat e fatit. Nuk kanë ndryshuar kushtet, ndërkohë që situata ka ndryshuar. Ky institucion të jepte një nga miratime!
Ndërkohë vetë Braçe gjatë, mbledhjes në komisionin e Ekonomisë ku u diskutua projektligji për Lojërat e Fatit propozoi një sistem shtrëngues të ngjashëm me atë që aplikohet ndaj deputetëve në lidhje me të ardhurat dhe pasurinë edhe për organizatorët e Lojërave të Fatit. Gjatë mbledhjes deputetët kërkuan që procedura për licensimin për 10 vite të kalojë nëpër dy faza, duke përfshirë kritere pikëzimi dhe investimi. Një tjetër propozim i bërë nga komisioni është një sistem monitorimi për të shmangur manipulimin e platformave të bastave online.
Ministria e Financave hodhi poshtë kërkesën e deputetëve socialistë për taksimin e lojtarëve në lojërat e fatit. Debate ka pasur edhe për normën e fitimit në bingon televizive kombëtare. Ndërkohë Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi tha se drafti është azhornuar në disa pika, ku elementi shtesë në lidhje me dhënien e licensave është gara me kritere pikëzimi, ku të merret parasysh edhe oferta ekonomike.
Çfarë thotë projektligji i ri?
Ligji i shqyrtuar prej më shumë se 4 muajsh në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u miratua të martën pas ndryshimeve të fundit të arritura me konsensus me ministrinë e Financave. Sipas projektligjit, ata që do të duan të luajnë baste sportive online, do të duhet të regjistrohen me identitetin e tyre në sistemet e kompanive të basteve, të cilat të do të jenë të detyruar që të dhënat e lojtarëve t’i ruajnë për tre vjet. Ndërsa qarkullimi i parave do të bëhet nëpërmjet sistemit bankar. Bastet sportive online do të jenë të detyruara të kenë të regjistruar lojtarët e tyre, dhe të dhënat do të duhet të ruhen për të paktën tre vjet. Këto baste, që specifikohen se do të jenë vetëm online, nuk do të kenë pika fizike, por faqe interneti, aplikacione dhe infrastruktura teknologjike e nevojshme që mundëson aktivitetin brenda kornizave të përcaktuara dhe që janë të monitorueshme. Qeveria vendosi të rikthejë bastet sportive 5 vite pasi u mbyllën. Bastet sportive u shpallen të paligjshme më 1 janar 2019, pavarësisht kësaj shqiptarët kurrë nuk ndaluan së vëni loto, apo luajtur në kazino, sepse ky shërbim ofrohej online pa u kontrolluar nga askush./ZËRI