
TIRANË- Deputeti socialist Erion Braçe ka shprehur dy shqetësimet e tij në lidhje Lojërat e Fatit. Në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, Braçe propozoi që SPAK të japë miratimin e fundit për organizuesit e Lojërave të Fatit. Së dyti deputeti tha se qeveria duhet të japë përgjigje a është pro një platforme shtetërore unike për Lojërat e Fatit. Ai propozoi dhe një sistem shtrëngues të ngjashëm me atë që aplikohet ndaj deputetëve në lidhje me të ardhurat dhe pasurinë edhe për organizatorët e Lojërave të Fatit. Braçe mori si shembull SHBA-të dhe tha se atje miratimin e fundit për kazinotë e jep FBI-ja, ndërsa në Shqipëri duhet ta jëp SPAK. Ndërkohë Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi tha se drafti është azhornuar në disa pika, ku elementi shtesë në lidhje me dhënien e licensave është gara me kritere pikëzimi, ku të merret parasysh edhe oferta ekonomike. Komisioni për Çështjet Ligjore ka miratuar projektligjin për rikthimin online të lojërave të fatit në shtator të vitit të kaluar. Opozita ka dalë kundër duke u shprehur se bastet u hoqën nga rruga për t’u çuar tashmë përmes telefonave në shtëpitë e çdo shqiptari.