
FUSHË ARRËZ- Situata me motin ka shkaktuar probleme në Bashkinë e Fushë Arrëzit. Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni ishte në terren në zonat problematike si ato të Iballës dhe Fushë-Arrëzit, ndaj edhe të gjitha instancat janë në terren duke marrë masa fill pasi u shpall gjendja e jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Për ReportTv, Angoni tha se situata sot paraqitet më e qetë dhe se pavarësisht se Iballa, Fierza dhe disa fshatra të tjera janë ende të bllokuara, familjeve që janë të izoluar u janë dërguar ushqime dhe ndihma.
“Jemi në Fushë Arrëz si rezultat i situatës së djeshme. Në këto momente që flasim ishim në inspektim në zonën e Iballës. Kanë ardhur 2 fadroma nga Agjencia Kombëtare e Emergjencave Civile dhe do rrinë në dispozicion deri në normalizim. Deri tani rrugët nacionale janë zhbllokuar. E rëndësishme në këto kushte është kriposja e rrugëve. Themi se situata është e menaxhueshme. Zona e Iballës, e Fierzës dhe disa fshatra në këto komuna janë të bllokuara. Po bëhet plani nga bashkia. Janë evidentuar familjet e bllokuara, të cilave u kanë shkuar pakot ushqimore,”- tha Angoni.
Sa i përket gjendjes së emergjencës, shtoi se situata nuk ishte aq e rëndë, por u morën masa për të mos u rënduar situata./ZËRI