
TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk e ka pranuar dorëheqjen e kreut të Agjensisë së Mbikqyerjes Policore Ardi Veliut. Burime për Zëri.ai bëjnë me dije se kreu i qeverisë nuk e ka pranuar largimin e ish-kryepolicit dhe dorëheqja e tij ka mbetur pezull.
Ndërkohë letra e dorëheqjes së tij është dhe në zyrën e ministrit të Brendshëm Taulant Balla. Ky dikaster ende nuk ka thënë asnjë fjalë për dorëheqjen e Veliut.
Por kush e "dogji" Ardi Veliun?
Aksesi në ‘SKYECC’, aplikacioni që ka krijuar urat mes grupeve kriminale i ‘preu kokën’ vetë kreut të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, Ardi Veliu. Transkriptimet e dosjes ‘Metamorfoza’ që u zbardhën nga autoritetet franceze e që dërguan pas hekurave biznesmenë e zyrtarë, nxorrën zbuluar dhe lidhjet e Veliut me anëtarë të grupeve kriminale. Konkretisht, në një nga bisedat e zhvilluara në ‘SKYECC’, biznesmeni Pëllumb Gjoka, i cili tashmë është pas hekurave, pretendon se ka komunikuar me vetë Ardi Veliun dhe me ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.
Kjo gjë konfirmohet nga biseda që Oltion Bistri bën me Gjokën, ku duket qartë që ish-shefi i Operacionales që ndodhet aktualisht pas hekurave, ishte kthyer në syrin e veshin e biznesmenit dhe e lajmëronte për çdo kontroll apo vendime të marra në takime e mbledhje të ndryshme. Bistri gjithashtu kishte hyrë “mik” tek Rebani Jaupaj, drejtor i Policisë së Tiranës në kohën që është zhvilluar biseda, dhe tek Ardi Veliu.
Një deklaratë e disa javëve më parë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla ishte një paralajmërim i fortë për "prerjen e kokave" në radhët e drejtuesve të lartë të Policisë. Si kreu i Agjensisë së Mbikqyerjes Policore, Ardi Veliu duhet të hetojë efektivët dhe zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit që shkelin ligjin dhe kalojnë në anën kundër të tij, por a do të mund të ishte ky proces i pastër pasi emri i tij përmendej në dosjen "Metamorfoza"? Ka qenë kjo dosje që "dogji" Ardi Veliun dhe me shumë gjasa, thesi sapo ëstë hapur./Zëri.ai