Aktualitet

Protesta para Bashkisë së Tiranës, 3 të arrestuar, nën hetim Balliu dhe Blushi

Policia ka arrestuar shtetasit Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, Franci Kaloshi

E.K
Protesta para Bashkisë së Tiranës, 3 të arrestuar, nën
Protesta e opozites

TIRANË- Policia e Tiranës ka dhënë njoftim zyrtar në lidhje me arrestimet dhe shoqërimet pas protestës së opozitës, e cila u mbajt përpara Bashkisë. Për dhunën ndaj policëve, dhe molotovin e hedhur në protestë, policia ka vënë në pranga 3 persona.

Policia ka arrestuar shtetasit Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, Franci Kaloshi, ndërsa ka proceduar në gjendje të lirë Klevis Balliun, sekretar për aksionin qytetar në grupimin e Rithemelimit të Partisë Demokratike dhe Tedi Blushin, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë.

Policia është ndalur në detaje, ku sipas tyre, protesta që ishte e qetë, eskaloi në akte dhune në momentin që mori fjalën ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi. Po ashtu për aktet e dhunës janë duke u identifikuar përmes pamjeve filmike dhe dy persona të tjerë.

Policia ka identifikuar si drejtues të protestës Flamur Nokën, Klevis Balliun dhe Tedi Blushin, ndërkohë që dhuna në këtë tubim u dënua në bllok gjatë ditës së djeshme, nga të gjitha ambasadat e huaja në vendin tonë.

“Në lidhje me protestën e organizuar ditën e djeshme, më datë 19.04.2024, në orën 11.00, përpara Bashkisë Tiranë, thirrur nga Aleanca për Teatrin, e cila filloi në orën 11.00 me fjalime dhe përgjithësisht e qetë, në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K., në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit "Skënderbej", dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç.

Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).

Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë. Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P.

Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB