PATOS- Propozimi për bashkimin e Patosit me Bashkinë Fier ka hasur kundërshtim të fortë gjatë dëgjesës publike të zhvilluar këtë të mërkurë, ku qytetarë, këshilltarë bashkiakë dhe përfaqësues të grupeve të nteresit shprehën qëndrimin kundër ndryshimit të statusit të bashkisë.
Në qendër të diskutimeve ishte reforma e re administrative-territoriale dhe ndikimi që bashkimi i propozuar mund të ketë në funksionimin e pushtetit vendor dhe komunitetin e Patosit.
Kryetari i Këshillit Bashkiak Armand Ahmetaj hapi dëgjesën duke u kërkuar pjesëmarrësve që diskutimi të përqendrohej te reforma territoriale. “Do t’u lutesha të gjithë pjesëmarrësve që të mos dalin nga tema. Duhet të fokusohemi vetëm te tema për të cilën jemi këtu. Dua të falënderoj të gjithë zërat e këtij komuniteti që kanë qenë shumë aktivë në debatin publik në këtë proces”, u shprehKryetari i Këshillit Bashkiak Armand Ahmetaj.
Më pas, kryebashkiaku Fatjon Duro paraqiti argumentet e tij në favor të ruajtjes së Patosit si bashki më vete. Ai iu referua disa treguesve financiarë, ekonomikë dhe të performancës së pushtetit vendor, duke pretenduar se Patosi ka një pozicion më të mirë në disa prej këtyre indikatorëve krahasuar me bashkitë e tjera të qarkut.
“Bashkia e Patosit për indeksin e funksionalitetit renditet e para në qark, me një diferencë të theksuar nga Bashkia e Fierit me të cilën do të bashkohet. Sipas vetë Komisionit, Patosi ka indeks më të lartë funksionaliteti se Fieri”, deklaroi Duro.
Kryebashkiaku u ndal edhe te performanca ekonomike dhe gjendja financiare e bashkisë, duke theksuar se Patosi, sipas tij, ka rezultate të larta në këta tregues.
“Indeksi i performancës ekonomike të Patosit është nga më të mirët në rang vendi. Në qark renditet e para. Patosi borxhin e ka zero”, tha kryebashkiaku Fatjon Duro, duke shtuar se edhe për investimet bashkia renditet në nivele të larta sipas treguesve të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Territoriale.
Gjatë dëgjesës, kundërshtimi ndaj bashkimit me Fierin u shpreh edhe nga qytetarët pjesëmarrës. Për ta, ruajtja e Patosit si njësi më vete lidhet jo vetëm me aspektin administrativ, por edhe me historinë dhe identitetin e komunitetit.
Një prej të pranishmëve ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si do të votohet reforma në Kuvend, duke iu referuar edhe rolit të deputetëve të zonës.
“Mjafton që deputetja e Patosit të mos ngrejë kartonin. Dhe drejtuesja politike që ka dalë në media dhe ka thënë që të gjashta bashkitë e Fierit do të ruhen. Patosin e hëngri pas shpine”, deklaroi ai gjatë dëgjesës.
Konsultimi publik për reformën administrative-territoriale pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim. Kryebashkiaku Fatjon Duro dhe Këshilli Bashkiak do ta shtrijnë procesin edhe në njësitë administrative, ku pritet të mblidhen qëndrime të tjera të banorëve për të ardhmen administrative të Patosit./ZËRI