SARANDË- Tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra pas një episodi të dhunshëm të shkaktuar nga një person i arrestuar në ambientet e Komisariatit të Sarandës. Sipas policisë, gjatë qëndrimit në komisariat, i arrestuari ka dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës ku mbahej, si dhe një karrige dhe një tavolinë.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Vlorës ka marrë masë pezullimi ndaj tre efektivëve, të cilët dyshohet se nuk kanë reaguar gjatë episodit të dhunës.
Policia sqaron se shtetasi i arrestuar me inicialet D. S ndodhej në një gjendje të rënduar emocionale në momentin e ngjarjes. Për shkak të situatës, është njoftuar menjëherë shërbimi i urgjencës.
Ndërkohë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të episodit të ndodhur në ambientet e komisariatit.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë
Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale për një ngjarje të ndodhur në ambientet e dhomave të ndalimit, në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku ndodhej shtetasi D. S., i arrestuar në zbatim të një vendimi gjykate, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë sqaron se:
Gjatë qëndrimit në ambientet e dhomave të ndalimit, ky shtetas ka shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive, duke dëmtuar një kamerë sigurie, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë.
Për rastin është njoftuar menjëherë urgjenca e spitalit dhe shtetasi D. S, ka marrë ndihmën mjekësore.
Gjithashtu, paralelisht është njoftuar Prokuroria dhe janë kryer të gjitha veprimet procedurale përkatëse.
Njëkohësisht, në kuadër të verifikimit të plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të përgjegjësive eventuale, janë pezulluar nga detyra 3 punonjës policie, të cilët nuk kanë reaguar kur shtetasi D. S. ka dëmtuar kamerën dhe orenditë në dhomën e ndalimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe marrjen e masave përkatëse, në përputhje me ligjin, në bashkëpunim me Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë ecurinë disiplinore për tre punonjësit e policisë tashmë të pezulluar./ZËRI