
LUSHNJE- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Çukas të Fier Sheganit, ku dy vëllezër kanë mbetur të plagosur, pas një sherri që kanë pasur me njëri tjetrin për pronën. Mësohet se dy vëllezër kanë përfunduar në spital, pasi janë konfliktuar duke goditur njëri-tjetrin me sëpatë dhe me armë. 70-vjeçari Nazif Musai dyshohet se ka qëlluar me armë vëllanë e tij 57-vjeçar Haziz Musai, ndërsa ky i fundit i është përgjigjur duke e goditur me sepatë dhe kosore.
Ishte shefi i Komisariatit të Policisë Lushnje, Edmond Pjetraj, ai i cili sqaroi ngjarjen për median duke thënë se konflikti i vëllezërve për motive pronësie agravoi në përdorimin e armëve.
57-vjeçari ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa 70-vjeçari ka marrë plagë më të lehta dhe është transportuar me ambulancë.
“Rreth orës 08:00, në fshatin Çukas i Vjetër, dyshohet se për shkak të konflikteve për motive pronësie, shtetasi H. M. ka goditur me mjet prerës (sopatë), vëllanë e tij, shtetasin N. M., rreth 77 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur shtetasin H. M., me armë zjarri pistoletë. Të dy të dëmtuarit janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve. Aktualisht, shtetasi H. M. është në gjendje të rëndë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës (sopatë), të përdorura gjatë konfliktit. Grupi hetimor po punon për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e rastit,”- tha Policia në një njoftim paraprak për mediat.
Ngjarja ka ndodhur para pak minutash, ndërsa policia ndodhet në vendin e ngjarjes./ZËRI