
POGRADEC- Menjëherë pas shkarkimit nga postimi i drejtorit të burgut të Fushë Krujës, me urdhër të ministrit Ulsi Manja, Durim Toska është vënë në prangat e policisë. Kjo pasi ai akuzohet për disa vepra penale, përfshirë dhunën në familje, dhe armëmbajtjen pa leje.
Mësohet se policia gjatë kontrollit në banesën e Toskës ka gjetur një armë pa leje, ndërkohë që bashkëshortja e tij është pajisur me urdhër mbrojtje.
Toska ishte në krye të burgut të Fushë Krujës, për disa muaj, ndërkohë që më herët kishte drejtuar burgun e Drenovës.
Gjithashtu për një mandat ai kishte qenë në krye të komunës së Hudenishtit në Pogradec. Pikërisht në këtë qytet u vu dhe në prangat e policisë, dhe nga një drejtor burgu do të shndërrohet në një të burgosur. Ai pritet që të dalë gjatë ditës së sotme para gjykatës së Pogradecit, ku do të njihet me masën e sigurisë.
Njoftimi Shkarkimit
Njoftim në lidhje me shkarkimin e Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë-Krujë!
Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, ka ndërmarë këtë hap, pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cënuara nga z. Durim Toska.
Vendimi vjen në përshtatje me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në sistemin e drejtësisë.
Ministri Manja shpreh besimin në vazhdimin e punës dhe angazhimin për të siguruar një administratë të fuqishme dhe të drejtë.
-
Shkarkohet drejtori i burgut të Fushë-Krujës
2 Dhjetor, 23:08
/Zëri