
PRISHTINË- Kryetari i "Aleanca Kosova e Re" dhe biznesmeni Behgjet Pacolli sërish ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerës Liridona Ademajt. Në fillim u tha bashkëshorti i saj Naim Murseli, i cili edhe porositi vrasjen, për një kohë kishte qenë edhe këshilltar i Pacollit, por ky i fundit ka sqaruar vetë sot gjithçka. Nga ana tjetër ai shprehet se ka qëndruar në heshtje në respekt të familjes së Liridonës së ndjerë, duke përsëritur se çdo individ është përgjegjës për veprimet e tij. Por sërish i bëri thirrje drejtësisë që të ndëshkojë autorët e ngjarjes.
Shkrimi i Pacollit:
Edhe një herë, shpreh ngushëllimet e mia për familjen dhe miqtë e Liridonës me këtë ngjarje të trishtueshme. Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m'u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje qe kishte perjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019. Gjatë mandatit tim si MiPJ, kam pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku ai ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre. Kështu lindi ideja, me kërkesën e tij, për ta nominuar si bashkëpuntor (këshilltar) të jashtëm (pro bono) gjatë mandatit tim në qeveri. Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, une dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time. Tragjedia e fundit më ka prekur thellë, dhe bashkëndjejmë në dhimbjen e familjes së Liridonës dhe fëmijëve. Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues. Kam mbajtur heshtje këto ditë si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës. Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t’u tregojë secilit vendin e merituar.
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri