
PRISHTINË- Vëllai i të ndjerës Liridona Ademaj, Leonard Ademaj, përmes një reagimi në Facebook ka falënderuar të gjithë qytetarët për ngushëllimet dhe mbështetjen publike për motrën e tij, e cila u vra nga bashkëshorti i saj. Në postimin e tij, ai shkruan disa fjalë zemrë për të motrën, duke përsëritur edhe njëherë thirrjen publike për drejtësi. Mesazhi ka qenë i drejtpërdrejtë për kunatin e tij: duhet që të dënohet me burg përjetë.
Reagimi i familjes të së ndjerës:
Përshëndetje, unë jam Leonard Ademaj, jam vëllau i Liridona Ademaj e cila është vrarë në mënyrë mizore. Në emër të familjes ju falenderoj për ngushëllimet që na keni ofruar, për reagimet publike të mijëra njerëzve dhe për mbështetjen që na keni dhënë. Liridona ka qenë grua e fortë dhe pozitive, nënë e përkushtuar dhe familjare e dashur. Atë na e morën kriminelët dhe krejt çfarë duam ne është drejtësi. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Shpresoj që institucionet do të na lejojnë që Liridonen ta kthejmë nesër aty ku e ka vendin, në shtëpinë e saj. Me respekt,
Familja Ademaj
Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit, rreth orës 20:26, në rrugën “Dalip Alshiq”, në Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si grabitje, por pas 48 orëve u zbulua se urdhri për ekzekutimin e të resë ishte dhënë nga vetë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli. Ai e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro për vrasjen e gruas së tij. 15 mijë ia kishte dhënë para vrasjes, dhe 15 të tjera do ia jepte në përfundim të krimit. Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjeçares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur. Në pranga ka rënë dhe Kushtrim Kokalla, i afërm i Murselit që akuzohet si bashkëpunëtor në krim./Zëri