Aktualitet

Gjaku nuk harrohet! Kanuni bën ligjin mes familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj, shteti spektator

ZËRI do të risjellë të gjithë historinë e konfliktit që ka nisur për 10 mijë lekë të vjetra dhe që edhe sot e kësaj dite po merr jetë.

k.m.
Gjaku nuk harrohet! Kanuni bën ligjin mes familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj,
Foto ilustruese

TIRANË- Gjaku nuk harrohet! E në Lezhë duket se Kanuni ende e bën ligjin. Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin, disa muaj më vonë, goditi pala tjetër. Në korrik iu mor jeta Nikolin Marku (Lekstakaj), ndërsa sot ishte goditja e radhës. Eno Nikulaj, djali i xhaxhait të biznesmenit nga Lezha u qëllua teksa shkonte për në banesë për një gjakmarrje që as nuk e nisi dhe me shumë gjasa nuk ka lidhje. Por duket se mes dy familjeve historia e përplasjeve është rindezur, e Policia është lënë në 'stol' vetëm që të vëzhgojë. Për asnjë nga vrasjet autorët, edhe pse të identifikuar nuk janë kapur. 

ZËRI do të risjellë të gjithë historinë e konfliktit që ka nisur për 10 mijë lekë të vjetra dhe që edhe sot e kësaj dite po merr jetë.

Fisi Lekstakaj dhe fisi Nikulaj janë në gjakmarrje që prej vitit 1996. Historia e përplasjes mes fiseve në fjalë, ka nisur që para 27 viteve, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për 10 mijë lekë të vjetra. Asokohe, vëllai i Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën dhe pas kësaj, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

KRONOLOGJIA E VRASJEVE

1997- Një sherr mes 15-vjeçarëve në një pikë karburanti la një viktimë. Ishte një konflikt banal, në një karburant. Atje u vra një djalë nga familja Nikulaj. Atje familja vuri gishtën mbi familjen Lekstakaj. Pas debatit verbal u vra vëllain i Ardian Nikulaj, Pëllumbi.

1997- Klodian Lekstakaj dëshmoi vrasjen për një tokë në Balldre, ku mbetën të vrarë Gëzim Stakaj dhe Laurent Ndoc Gjetja, djali i poetit të njohur lezhian, Ndoc Gjetja (nip në familjen Stakaj). Sipas tyre, i dyshuari kryesor për ngjarjen ishte Nikoll Nikulaj, i cili ka bërë 3 muaj burg, por doli i lirë për vetëmbrojtje edhe pse ishte në tokën e viktimave.

1998- Në janar 1998 u vra Gjovalin Stakaj dhe u plagos Pjeter Lekstakaj. Edhe pse ishin të të njëjtës familje, Pjetri u akuzua atentator për vrasjen dhe u dënua me 12 vite burg.

Këtu fija shkëputet!

Familja Lekstakaj është larguar drejt Britanisë së Madhe, ndërsa Nikulajt qëndrojnë në Shqipëri. Në Lezhë! Ngrenë një hotel në Shëngjin dhe vazhdojnë jetën të qetë pa e ditur se 2023 do të rihapte plagët e mbyllura. Vetë Lestakajt nuk vinin dot, ndaj edhe i besuan të afërmit të tyre Edmond Haxhia që t'u mbyllte punë! Ai punësoi disa persona për të bërë atë që një killer nga Fushë Kruja, Nikla, nuk ia kishte marrë përsipër, të hiqte qafe Ardianin. 300 mijë euro nuk e tunduan që të hiqte qafe atë që dikur e kishte pasur mik; një personazh i angazhuar me politikë dhe popullor në Lezhë. Kështu detyra iu ngarkua "të huajve".

Organizatori i gjithçkaje, Edmond Haxhia, i afërm i fisit Lekstakaj në gjakmarrje me Nikulajt, përdori një grup të huajsh në realizimin e atentatit. Vetë ai u arrestua në Angli bashkë me 4 britanikë bashkëpunëtorë, ndërsa portugezi Ruben Saravia ndodhet në Marok. Në momentin e arresimit, Thomas Mithan e pranoi krimin, duke u shprehur se nuk donte të përfundonte pas hekurave të burgut. Të kamufluar si turistë, britanikët nuk kishin ngjallur as dyshimin më të vogël se ndodheshin në vendin tonë për të bërë vrasje. Madje dhe ishin strehuar në hotelin Coral në pronësi të Ardian Nikualjt, i cili në shumë raste i kishte paguar edhe ushqimin e konsumuar prej tyre.  Marrëdhënia miqësore mes tyre kishte shkuar edhe tek fakti që informatorët e vrasësit ishin miqësuar aq shumë me familjen Nikulaj, saqë kanë luajtur edhe me fëmijët e 51-vjeçarit brenda ambienteve të hotelit me bilardo. Megjithatë e çuan deri në fund porosinë që kishin marrë, e me të ndodhur vrasja u zhdukën nga Shqipëria

Pas ngjarjes së 19 Prillit në Shëngjin, Lekstakajt reaguan për mediat duke mohuar autorësinë. Por, hetimet zbuluan një sërë provash ndaj të afërmit të tyre Edmond Haxhia.

“Nuk kemi çfarë themi më shumë nga ajo çka kemi kërkuar 7 vite më parë, aq më tepër që s’duam të ngjallim emocione negative në këtë rast të freskët. Edhe pse ngjarja ka ndodhur e nuk kemi përgjegjësi, ne sërish do kërkojmë hetim të ngjarjes deri në fund. Nëse shteti shqiptar na garanton jetën me status dëshmitarësh, ne vijmë e përballemi në gjykata. S’kemi dashur kurrë gjak, as nuk duam, duam drejtësi në dosje. Nëse shteti shqiptar na thërret për hetim ne vijmë menjëherë,”- kanë deklaruar vellezërit Lekstakaj.

Korriku u përgjak për fisin e tyre, pasi Nikolin Lekstakaj, 42-vjeç u qëllua për vdekje në fshatin Balldre të Lezhës. Babai i tre fëmijëve, i cili njihet në zonë edhe me emrin 'Toli' sapo ishte kthyer nga emigrimi. Për të nuk dihej shumë, por pagoi "detyrimet" e familjes. Edhe në këtë rast, Policia zyrtarisht tha se besonte që kishte lidhje me linjën e hakmarrjes, por deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen. 

Sot, krimi goditi sërish! Një "BMW" për vrasje dhe breshëri e pamëshirmshme për të ekzekutuar Eno Nikulajn. Autorët i shpëtuan sërish Policisë por sinjali është mjaft i qartë. Hakmarrja ka nisur dhe duket se do të vazhdojë. Paqe s'ka!/ZËRI

Poll

MOS HUMB