
TIRANË – Është ndarë nga jeta në moshën 53-vjeçare Dritan Mezini, këshilltar i Fidel Yllit Në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Mezini ndërroi jetë nga një atak kardiak. Lajmin e trishtë e ndanë në rrjetet sociale fillimisht miqtë e tij. Për ndarjen nga jeta të Mezinit, ka shprehur ngushëllime edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. KOKSH shprehet se ka humbur një mik, mentor dhe koleg të devotshëm.
‘Komiteti Olimpik ka humbur një mik, mentor, koleg dhe një mbështetës të madh të sportit. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes dhe të gjithë miqve të Tanit. Lamtumirë Tani, u prehsh në paqe!’- njoftoi KOKSH.
Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar për ndarjen nga jeta të Dritan Mezinit. Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se Mezini dje ka qenë në tryezën e Këshillit Ekonomik Kombëtar.
‘Nuk e besoj dot që Dritan Mezini nuk është më sot, teksa dje pasdite ishte me ne në tryezën e Këshillit Ekonomik Kombëtar. Nuk e njihja personalisht nga afër, por fjalët për të ishin gjithnjë të mira dhe fjalët e tij ishin gjithnjë interesante. Një anëtar i spikatur i shumë organizatave, shoqatave, forumeve e platformave, njëkohësisht dhe një sipërmarrës i suksesshëm në fushën e teknologjisë së informacionit, si edhe një mentor i shumërespektuar për plot të rinj lidhur me inovacionin e me tregun e punës. Keqardhje e madhe! U prehtë në paqe????”, shkruan Rama.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka reaguar për ndarjen nga jeta të Dritan Mezinit. Veliaj shprehet se Mezini ishte një baba dhe bashkëshort shembullor, qytetar dhe profesionist, që e donte inovacionin.
“Trishtues lajmi i largimit të hershëm të Dritan Mezinit. ????
Një baba e bashkëshort shembullor, qytetar dhe profesionist i papërsëritshëm, që e donte inovacionin, mjedisin dhe njerëzit.
Ngushëllime familjes! ????”, shkruan Veliaj.
Në rrjetet sociale, janë të shumtë miqtë dhe bashkëpunëtorët e biznesmenit Dritan Mezini, që kanë shprehur ngushëllime për ndarjen e parakohshme të tij nga jeta./ZËRI/