
TIRANË- Biznesmeni Sino Llanaj është vënë në prangat e policisë në Vlorës pasi është kapur me armë dhe municione në mjet. 48-vjeçari është vendosur në prangat e Policisë teksa po udhëtonte në autostradën “Fier-Vlorë”. Por para se të përfundonte në destinacionin e tij, është ndaluar nga patrulla që i ka kaluar në "skaner" mjetin duke i gjetur edhe armën që e kishte fshehur në makinë. Ai u kap gjatë kontrolleve të Policisë në qytetin e Vlorës, në lidhje me vrasjen e të riut Gëzim Sinomati.
Mbrëmjen e djeshme, Policia dhe RENEA kishin dalë në aksion, e një prej të kapurve është Llanaj. Në pranga, po sepse i është gjetur në armë në banesë, ka përfunduar edhe Armandi Beqiraj. Megjithatë është ende e paqartë nëse biznesmeni po hetohet se ka lidhje me lidhje me ngjarjen, apo arrestimi i tij është bërë vetëm për kapjen me armë zjarri në mjetin e tij.
KUSH ËSHTË NDËRTUESI SINO LLANAJ?
Llanaj është një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit, por edhe i denoncuar në disa raste në polici, për shkak të problemeve që ka pasur me pallatet dhe apartamentet që ka nxjerrë në shitje. Por u bë pjesë e kronikës në vitin 2021, kur u përplas me ortakun e tij Albert Allmuça. Dy ortakët u konfliktuan me njeri-tjetrin për mosmarrëveshjet që kishin për ndërtimin e një pallati në zonën e ish-Parkut në Tiranë, por përveç përplasjes me njëri-tjetrin, të dy përfunduan edhe në Polici më 14 janar.

Nga hetimet, ZËRI raporton se sherri ka nisur pasi palët nuk kishin rënë dakord për punimet e një pallati; i cili do të ndahej me struktura 2,9 dhe 11 kate mbi tokë. Benzinën zjarrit ia kishte shkaktuar dhe shumë prej 3 milionë eurosh që Sino ia kishte borxh Allmuçës. Përveç përplasjes personale mes tyre vuajtën edhe banorët. Kjo pasi në nëntor, në shenjë revolte Allmuça rreshtoi kamionët në hyrjen e pallatit, e të gjithë ata që e kishin blerë banesën e tyre tek Sino, nuk futeshin dot brenda edhe pse paratë i kishin derdhur në bankë tek firma.
Çështja u bë e madhe, pasi banorët dolën në protestë para Bashkisë së Tiranës lidhur me rastin.

Ndërkohë edhe në vitin 2022 Llanaj ka qenë protagonist i një tjetër incidenti, kur iu zjarri qëllimisht makinës së vëllait të tij, Dritan Llanaj, e si pasojë u dogjën edhe disa mjete të tjera. Edhe ky incident ndodhi në garazhin e pallatit që ishte ndërtuar nga Sino Llanaj. Nga zjarri u dogjën katër mjete në total dhe mbetën të plagosur tetë persona. Por ngjarja nuk u zbardh kurrë, duke mbetur pa autor./ZËRI