Aktualitet

Dhunuan barbarisht 3 shqiptarët/ Policia malazeze: Identifikohen 6 agresorë, sekuestrohet municion

Policia e Mali të Zi lajmëroi se ka identifikuar 6 agresorët e dyshuar, që qëlluan në mënyrë barbare 3 shqiptarët në Herzeg Novi.

D.XH
Dhunuan barbarisht 3 shqiptarët/ Policia malazeze: Identifikohen 6
Veshjet dhe armet e sekuestruara

HERZEG NOVI – Mediat e Malit të Zi raportojnë se policia vendase ka arritur të identifikojë 6 personat, që dyshohet se kanë dhunuar 3 shqiptarët në Herzeg Novi. Policia e Herzeg Novit ka ngritur kallëzim penal kundër B.V., S.D., K.D., F.V., V.T. dhe S.M. për shkak të sjelljeve të dhunshme në dëm të tre shtetasve të Shqipërisë, njoftoi Drejtoria e Policisë (UP).

Siç tha UP-ja, përmes punës operative në terren, masave të ndërmarra hetimore dhe veprimeve të ndërmarra në bashkëpunim me ushtruesin e detyrës së prokurorit të shtetit, pjesëtarët e policisë kanë identifikuar gjashtë persona nga Herceg Novi si autorë të sulmit fizik ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, ngjarje e ndodhur më 6 janar në rrugën kryesore në Zelenika.

“Është ngritur kallëzim penal ndaj B.V., S.D., K.D., F.V., V.T. dhe S.M., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të lartpërmendur. Dyshohet se këta persona kanë sulmuar fizikisht tre persona pas një incidenti në trafik, ku janë dhunuar shtetas të Republikës së Shqipërisë, të cilët ndodheshin në një automjet me targa gjermane. Nga kjo ngjarje kanë pësuar lëndime të lehta dy shtetas të huaj”, thuhet në komunikatë.

Pas identifikimit të të dyshuarve, policia, duke vepruar sipas urdhrave të gjykatës kompetente, ka kryer kontrolle në gjashtë vendndodhje në këtë qytet, të cilat përdoren nga të dyshuarit.

Duke kërkuar vendndodhjen e përdorur nga F.V. janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë tip “Zastava M57” 7.62 mm pa leje, tre korniza, 44 copë municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe një jelek kamuflazhi.

“Të gjitha sendet e konfiskuara janë dërguar për ekspertizë në Qendrën e Mjekësisë Ligjore të Administratës së Policisë”, përfundon njoftimi.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të mesditës së 6 janarit në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi, kur Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi po udhëtonin drejt Gjermanisë. Shqiptarët kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, pasi i kanë dëgjuar se flisnin shqip./Vijesti - ZËRI/

Poll

MOS HUMB