
TIRANË- Kanë dalë para gjykatës së Tiranës, ku u njohën me masën e sigurisë, 4 qytetarët që u arrestuan pas protestës së tretë të mbajtur nga opozita, përpara godinës së bashkisë në kryeqytet.
Kevin Vidrica, Bernard Metaliaj, Franc Kaloshi dhe Artan Muçmata, u lanë nën masën "detyrim për paraqitje dhe ndalim i qëndrimit në vende publike".
Në sallën e gjyqit, protestuesit thanë se janë keqtrajtuar nga forcat e rendit. “Na kanë trajtuar me rripin e pantallonave”, u shpreh shkurtimisht njëri prej protestuesve, teksa u pyet nga gazetarët e pranishëm në sallë. Ndërkohë që një tjetër i arrestuar, Franc Kaloshi tha se i kanë terrorizuar familjen.
Ai tha se është i pafajshëm dhe se nuk ka hedhur molotov ndaj forcave të rendit, madje shtoi se është një person që ka respekt për uniformën e policisë, pasi disa prej anëtarëve të familjes i ka pikërisht efektië.
"Më kanë terrorizuar familjen. Kanë ardhur në 7 të mëngjesit në banesën time në Fier. Nëna ime, babai im, kanë qenë të pranishëm. Nuk kam qëlluar me molotov apo punonjës policie. Na kanë hequr edhe rripat e pamtallonave, jam demokrat me kontribute familjarisht. Kam protestuar paqësisht. Jam arrestuar në Fier, është rrethuar e gjithë zona për të më arrestuar mua. Kurrë në jetën time nuk kam qëlluar ndaj një punonjësi policie. Kam respekt për uniformën e policisë së shtetit," tha ai.
/ZËRI