TIRANË- Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët, ka qenë në fokus të emisionit investigativ “Report” të RAI 3l, ku mes të tjerave janë përmendur dhe akuzat që i janë bërë vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, si i përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Duke iu rikthyer akuzave të bëra dhe nga opozita në Shqipëri, RAI3 thotë se Olsi Rama ka lëvizur me të njëjtën makinë, që lëviznin dhe anëtarët e tjerë të grupit kriminal.
“Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni “Report” i publikon ekskluzivisht më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë.
Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore”, thuhet në emisionin “Report” të RAI 3 që ka publikuar edhe faksimilie të lëvizjeve të Olsi Ramës dhe anëtarëve të bandës së Xibrakës.
Ndërkohë që më tej reportazhi ndalet në një raport të Transparency International, që shpreh një sërë shqetësimesh për rritjen e korrupsionit në Shqipëri.
“Pavarësisht rasteve të veçanta, në dekadën e fundit që i përket kohës së qeverisjes Rama, mafia shqiptare ka bërë një rritje epokale në cilësi", thuhet në reportazhin e RAI 3./ZËRI