
KORÇË-Katër veterinerë në Korçë dhe Sarandë po hetohen për 'shpërdorim detyre', pasi lejuan në kundërshtim me ligjin transportimin e 410 bagëtive të imta nga Konispoli drejt Barmashit. Vetrinerët nuk kanë zbatuar urdhrin e Ministrisë së Bujqësisë, “Për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi, në territorin e Republikës së Shqipërisë”, vendim i cili erdhi pas verfikimit të rasteve me murtajë në ferma.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intesifikuar kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive. Si rezultat i kontrolleve të shtuara për zbatimin e urdhrit të ministrit të Bujqësisë, për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së bagëtive të imta, është evidentuar një rast i transportimit të bagëtive të imëta, në kundërshtim me këtë urdhër.
Procedohen penalisht për shpërdorim detyre, 4 veterinerë, përgjegjës për zbatimin e këtij urdhri.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në fshatin Barmash, Ersekë, një automjet me të cilin po transportoheshin nga Konispoli, 410 bagëti të imëta.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit A. Sh., 58 vjeç, D. L., 53 vjeç, M. N., 53 vjeçe, dhe S. I., 57 vjeç, banues në Sarandë dhe në Korçë, veterinerë në institucionet vendore në Korçë dhe në Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk kanë marrë masa për zbatimin e urdhrit nr. 575, datë 09.06.2025, të ministrit të Bujqësisë “Për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi, në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit E. Q., 43 vjeç, D. M., 33 vjeç dhe A. G., 56 vjeç, banues në Durrës, Tiranë dhe Korçë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shërbimi Veterinar bëri me dije se murtaja është aktive në 12 ferma në total në të gjithë vendin. Fillimisht ky infeksion u zbulua në fshatin Domen, njësia administrative Postribë, Shkodër. Më pas u përhap në fshatra të ndryshme në Dibër, Fushë-Krujë, Skrapar e Korçë. Në total janë asgjësuar mbi 1200 krerë./ZËRI