Politikë

Përfundon procesi i rinumërimit në Tiranë, nuk ka ndryshime të mandateve

Gati gjysmat ka humbur Partia Socialiste, që i ishin shtuar gati 400 vota pa meritë, të cilat janë hequr.

k.m.
Përfundon procesi i rinumërimit në Tiranë, nuk ka ndryshime
Foto ilustruese

TIRANË- Më shumë se 1200 kuti votimi të qarkut të Tiranës janë rinumëruar të gjitha. Rinumërimi i votës së fundit ka mbyllur procesin e nisur disa ditë më parë në pallatin e sportit "Fahrie Hoti" në kryeqytet. Pavarësisht se nga ky rinumërim ka shumë pritshmëri dhe ishte kërkuar prej tyre, Partia Demokratike nuk ka mundur që të rikuperojë asgjë. Madje ka humbur më shumë se 600 vota. Gati gjysmat ka humbur Partia Socialiste, që i ishin shtuar gati 400 vota pa meritë, të cilat janë hequr. Për shkak të kësaj diferencë shumë të thellë, Partia Demokratike nuk ka mundur që të marrë një tjetër mandat për Tiranën, edhe pse synonte të merrte ulësen e dytë në Kuvend të Partisë “Mundësia”. Demokratët kërkonin që të fusnin në Kuvend, mjekun Ilir Alimehmeti, në vend të Erald Kaprit, por rotacioni nuk ndodhi. 

Përfundimi i rinumërimit zbuloi se partitë politike, të cilave u janë hequr vota padrejtësisht nga numërimi deri tani janë “Koalicioni Euroatlantik” i Lulzim Bashës (-21 vota), koalicioni “Djathtas për Zhvillim” i kryesuar nga Dashamir Shehi (-8 vota) dhe partia Aleanca Kombëtare Shqiptare (-7 vota). Vota sërish të pamjaftueshme për të bërë diferencën. Sërish asnjë prej këtyre partive nuk do të ketë asnjë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë në shtator. 

DETAJE NGA RINUMËRIMI: 

1. Koalicioni Partia Demokratike - 612 
2. Lëvizja Bashkë - 57 më shumë ...
3. Lëvizja Atdheu - 9 më shumë ...
4. Partia Koalicioni Euroatlantik - "-21" 
5. Partia Socialiste e Shqipërisë - 381 
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet - 44 
7. Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare - "-7"
8. Partia Aleanca Demokracia e Re - 11 
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim - "-8"
10. Partia Mundësia - 44 
11. Partia Socialdemokrate - 34

Sa i përket votave të kandidatëve, në Partinë Demokratike, më shumë vota të pamerituara ka marrë Jorida Tabaku, plot 250 të tilla, ndërsa i dyti renditet mjeku Alimehmeti.

VOTAT PREFERENCIALE: 

Jorida Tabaku 250 vota
Ilir Alimehmeti 137 vota
Loranca Hoxha 111 vota
Elton Rroshi 79 vota
Ilir Metaj 54 vota

Nga socialistët, rekordin e mban ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ndërsa pjesë e listës janë edhe politikanë të tjerë veteranë të PS-së.

VOTAT PREFERENCIALE: 

Ervin Hoxha 301 vota
Fatmir Xhafaj 233 vota
Blendi Gonxhja 179 vota
Erion Braçe 171 vota
Ornaldo Rakipi 132 vota
Xhemal Qefalia 128 vota
Pandeli Majko 126 vota

Ndërkohë edhe pse kishin shumë pak diferencë votash, nuk ka asnjë rokadë mandati as mes dy kandidatëve socialiste. Edhe pse Blerina Gjylameti fitoi 19 vota më shumë nga numërimi i parë dhe Xhaçkës iu hoqën 51, sërish nuk mjaftuan për të ndryshuar vendet në Kuvend. Gjylameti mbetet sërish jashtë politikës, ndërsa Xhaçka siguron edhe njëherë postin e deputetes.

Pas rinumërimit, një deklaratë për mediat thanë anëtarët e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve. Para mediave, Koli Bele ka sqaruar se si është kryer vlerësimi i votave në rinumërimin e kutive për qarkun e Tiranës, për të cilat komisionerët kanë pasur dyshime. Pranë përfaqësuesve të KAS kanë shkuar vetëm ato vota për të cilët komisionerët kanë pasur mosmarrëveshje nëse duhet apo jo të quheshin të vlefshme.

“Mund të ishte edhe Ylli Bufi, aty ka pasur edhe sharje apo piktura të pa përshtatshme që ne nuk i kemi njohur. Kjo nuk është shkencë ekzakte. Në raste të rralla kur numëruesit nuk kanë qenë dakord kanë ardhur te përfaqësuesit e KAS ku është marrë vendim. Jo të gjitha votat janë vlerësuar nga ne. Nëse fjalën “bufi” do ta gjejmë në kutitë e Fierit do të bëjmë një mbledhje të zgjeruar për të përcaktuar gjithçka,”- tha ai.

Anëtari i KAS, Ledio Braho, deklaroi se procesi ka qenë transparent dhe se rezultati i rinumërimit nuk solli lëvizje të konsiderueshme që të cenonin integritetin e zgjedhjeve.

“Unë mendoj se për aq kohë sa jemi në demokraci, transparenca i shërben demokracisë. Nuk ka pasur lëvizje të konsiderueshme të votave që të bëjnë pis procesin. Nuk kemi më akuza për trafikim votash brenda subjekteve, por as mes subjekteve. Të gjitha ato lëvizje që reflektohen dhe konsiderohen si vjedhje apo manipulim, për mendimin tim janë gabim njerëzor,”- u shpreh Braho.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vulosi këtë të mërkurë rezultatin e zgjedhjeve për qarqet Berat, Dibër, Shkodër, Vlorë Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi shpërndau mandatet për 35 kandidatët e dalë në 11 maj nga këto qarqe, duke mbyllur kështu edhe sagën e ankimimeve.

QARKU BERAT

PS – 5 MANDATE

Ervin Demo
Enriketa Jaho
Hysen Buzali
Fadil Nasufi
Hatixhe Konomi

PD – 2 MANDATE

Eno Bozdo
Zija Ismaili

QARKU DIBËR

PS – 3 MANDATE

Blendi Klosi
Alma Selami
Agron Malaj
PD – 2 MANDATE

Xhelal Mziu
Denisa Vata

QARKU SHKODËR

PS – 4 MANDATE

Marjana Koçeku
Onid Bejleri
Xhenis Çela
Bujar Rexha
PD – 5 MANDATE

Luçiano Boçi
Kliti Hoti
Greta Bardeli
Ramandan Likaj
Bardh Spahia
PSD – 2 MANDATE

Tom Doshi
Sabina Jorgo

QARKU VLORË

PS – 9 MANDATE

1. Bledar Çuçi
2. Zamira Sinaj
3. Erjona Ismaili
4. Pirro Vengu
5. Damian Gjiknuri
6. Vullnet Sinaj
7. Ardit Bido
8. Vasil Llajo
9. Brunilda Mersini

PD – 3 MANDATE

1. Bujar Leskaj
2. Vangjel Dule
3. Ina Zhupa

Sot që u përmbyll procesi i rinumërimit për Bashkinë e Tiranës, KAS do rinumërojë votat për Kavajën dhe Rrogozhinën. Më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të Diasporës./ZËRI

Poll

MOS HUMB