
VLORË- Pas skandalit me ndotjen në lumin e Vjosës, Policia e Vlorës ka vënë në hetim Përparim Memaj. Ky i fundit mban detyrën e përgjegjësit në sektorin e dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht. Memaj, është punonjës i kompanisë ku përpunohet nafta, e cila administrohet nga Albpetroli. Nga ajo që bën me dije Policia, dyshohet se rrjedhja e naftës në lumë, vjen nga vendi i quajtur “Përroi i Madh” të Gorishtit.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin P. M., 59 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë përgjegjës sektori i dekantimit të naftës, në fshatin Gorisht, Selenicë, pasi dyshohet se nga ky sektor janë derdhur mbetje nafte në vendin e quajtur “Përroi i Madh” të Gorishtit, duke shkaktuar ndotje,"- njoftoi Policia e Vlorës.
Skandali mjedisor në Parkun Kombëtar të Vjosës, në lumin e fundit të egër të Evropës, u bë publik nga CEO i “Riverwatch”, Ulrich Eichelmann, i cili shkoi vetë në terren. Me një video të publikuar në faqën zyrtare, ai u fut vetë në degën e lumit dhe nxorri nga aty një sërë kafshës të ngordhura, si një shenjë të dëmit mjedisor të shkaktuar në zonë. Rreziku është se dega e përroit nga ku rrjedh nafta, lidhet me degën kryesore të lumit. Kështu që nëse nuk ndërhyhet shpejt, rrezikohet e gjithë zona e mbrojtur. Parku Kombëtar i Vjosës është shtrirë në një sipërfaqe mbrojtjeje prej 12.727 hektarë, që është gjithë sipërfaqja ujore, sipërfaqja bregore e lumit, bashkë me disa sipërfaqe të tjera tokësore së bashku me të tre degët e lumit Vjosë (Lumi Drino, Lumi Bënçë dhe Lumi i Shushicës).
Për të mësuar më shumë lidhur me atë që nuk ka shkuar mirë në terren, ZËRI ka tentuar që të marrë një përgjigje nga disa institucione të shtetit si: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit; Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM); Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe Bashkisë Përmet dhe Tepelenë, por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Edhe pse skandali i ka shqetësuar të gjithë, nuk ka asnjë reagim as nga kompania "AlbPetrol", që mesa duket është përgjegjëse për këtë situatë. Aktualisht, janë 150 puse nafte aktive në zonën e Gorisht-Kouculit, të shtrira në një sipërfaqe prej 6 km2, të cilat shfrytëzohen nga kompania Albpetrol./ZËRI