
TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, deputeti Flamur Noka, është paraqitur mëngjesin e sotëm në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai ka qëndruar për thuajse në një orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku dhe është marrë në pyetje. Pasi ka dalë nga godina, Noka ndaloi për të dhënë një prononcim për gazetarët, lidhur me arsyen e thirrjes në Prokurori. Sipas tij, sot është thirrur për të gjitha denoncimet që janë bërë nga Partia Demokratike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Por nuk zbuloi konkretisht se për cilin nga denoncimet ishte thirrur për të dëshmuar.
"Isha këtu për denoncimet që kemi bërë në fushatë elektorale. Dhe task-forca, e cila u ngritur për të hetuar krimin elektoral, na rezulton që vdiq pa u ngritur akoma. Deri më tani, krimi elektoral që na u premtua se në janar të vitit 2025 do fillonte ndëshkimin ndaj tij, sot është duke i bërë karshillëk edhe godinës së SPAK-ut. Sot krimi elektoral është më i institucionalizuar se kurrë. Sot krimi elektoral është ai që ka vendosur fatin e votës së shqiptarëve. Janë dhjetëra raste kallëzimesh dhe referimesh që PD dhe opozita kanë paraqitur te Skapi i partisë, duke nisur që nga Durrësi, Vora, Elbasani, Shkodra, Fieri, Vlora dhe gjithë Shqipëria. Ne nuk jemi organ hetimor. Organi hetimor presupozohet të ishte ky që është këtu mbrapa. Isha për një sërë kallëzimesh që lidhen vetëm me krimet zgjedhore. Po ua përsëris, konstatova që task-forca elektorale për krimin zgjedhor, kishte vdekur atë ditë që ishte krijuar,"-tha në fjalën e tij Noka.
MOMENTI KUR FUTET NË SPAK:
Kjo është hera e dytë që Noka paraqitet në SPAK, ndërsa në 2024-ën u mësua se ndaj tij kishte nisur një hetim pasuror, por mesa duket sot nuk është thirrur në Prokurori për këtë çështje./ZËRI