Aktualitet

Atentati/ Ish-prokurori Arjan Ndoji në GJKKO: Kujt ia kam borxh? Dervishaj e Meçe: Neve, si do e shlyesh?

Për të dëshmuar është thirrur edhe Halit Valteri, ish-deputeti, i cili disa vite më parë publikoi një video për atentatin.

k.m.
Atentati/ Ish-prokurori Arjan Ndoji  në GJKKO: Kujt ia kam borxh? Dervishaj
Plarent Dervishaj dhe Arjan Ndoji

TIRANË- Ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoji është paraqitur për të dëshmuar lidhur me atentatin që i bënë në vitin 2019. Sot, ai po jep dëshminë e tij në seancën që po mbahet në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për të dëshmuar është thirrur edhe Halit Valteri, ish-deputeti, i cili disa vite më parë publikoi një video për atentatin.

Në fjalën e tij në gjyq, ish-prokurori, tashmë i zgjedhur deputet nga radhët e Partisë Demokratike, është shprehur: Nuk kam pasur asnjë problematikë që dikush të më bënte atentati. Dua të di shkakun, kujt ia kam borxh? 

DËSHMIA E PLOTË:

Në 2019 kam banuar në Tiranë, me punë kam qenë në Durrës. Gjatë muajit kam banuar në qytetin e Shëngjinit për periudhën që ti më pyet. Kam pasur makinë Mercedes Benz, automjetin e drejtonin të gjithë personat e familjes. Gjatë muajit tetor të 2019 kam marrë një djalë në punë, i cili fatkeqësisht nuk jeton më, Andi Maloku. Ka qëndruar me mua rreth një muaj, më shumë i kam dhënë unë makinës sesa ai, thjesht doja të ishte. Përveç situatës që u godita me armë zjarri, nuk ka diçka tjetër. Ka qenë data 1 nëntor, ora 13:00. Konsumuam drekë me ca miq, kemi ndenjur deri rreth orës 16:00. Kam qenë me shoferin Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahon. Këtë e kam njohur kur isha avokat. E ruajta marrëdhënien disa vjeçare. Marrëdhëniet janë marrëdhënie shoqërore, kur njihesh me dikë, e takon i flet për kafe, s’ka pse të ketë shkak për ruajtjen e një marrëdhënieje. Unë do kthehesha për shtëpi, edhe ai për shtëpi, kemi pasur një segment të përbashkët rruge. Te pjesa e parkimit të lokalit, kemi ndenjur 10 minuta, nuk e di a ka pasur njeri. Në momentin e atentatit, Andi ishte në timon, unë në sediljen e pasagjerit dhe Aleksandri pas. Sapo kaluam mbi mbikalim, filluan të shtënat. Fillimisht mu duk si zhurmë plastike, por më pas kuptova që ishin plumba që vinin nga pas. Nuk pamë makinën, sepse nuk kishim si. Të shtënat dukeshin të vinin nga dy armë të ndryshme. Pas të shtënave u ul shpejtësia nga i ndjeri dhe dolëm nga rruga. Unë tentova të dal nga makina humba ndjenjat nga një plagë dhe më pas u zgjova dhe me çuan në spital. Të tre u plagosëm. Shoferi, i ndjeri kishte një plumb pas në shpinë. Mori në telefon të atin, filloi të dilte nga makina dhe ndjeu që ishte rëndë. Unë nuk kam dijeni kush më ka qëlluar dhe nuk kam pasur problem dhe siklet me asnjë njëri. Nuk kam pasur shqetësime. Unë kam pasur vetëm një problem deklaratat e dy politikanëve në atë kohë. Dua të di pse ndodhi kjo. Deri më sot askush nuk ka dalë të më thotë çfarë borxhi u kam. Të pandehurit në këtë gjykim nuk i njoh, vetëm njëherë e kam parë fizikisht Plarentin, ndërsa të atin e Julian Meçes kam respekt, por nuk e njoh. Unë nuk di arsye pse këta e kanë bërë. Vetëm ca kam lexuar në media. Mua më intereson arsye pse u bë ky atentat. Se duket si çudi, por unë s’kam pasur asnjë problematik, asnjë shkak të besoj që dikush do më bënte atentat. Edhe 6 vite pas atij atentati unë nuk e kuptoj pse ka ndodhur. Kam një shtëpi në Shëngjin. Aty kam qëndruar. Nuk kam parë automjete të dyshimta, ndoshta ju duket e habitshme, por nuk kam pasur asnjë shqetësim. I vetmi shqetësim i imi ka qenë nga kryeministri, ish-zv.kryeministri, që kanë bërë deklarata publike për mua dhe për vetingun e famshëm. Mendoja që mund të më vinin operacionalen, ose të më bënin presion me Vettingun. Të vetmet lëvizje mashtruese që kam bërë në atë kohë ka qenë për të evituar operacionalen. Megjithatë, është goditur prokurori, jo Arjan Ndoja. Arjan Ndoja ja ku është.

Pasi drejtoi gjithë dyshimet dhe itinerarin e ditës që u qëllua, Ndoji tregoi pjesë nga biseda që ai ka bërë me babain e Julian Meçajt, i cili gjithashtu është marrë i pandehur në këtë proces gjyqësor. Ish-prokurori e zbuloi që e kishte pyetur të atin e Meçes për ngjarjen, duke kërkuar që të dinte arsyen e atentatit. Por teksa fliste ka pasur një ndërhyrje edhe nga Plarent Dervishaj. 

DISKUTIMET NË GJYQ: 

Arjan Ndoji: Me Pëllumb Muharremin nuk jam takuar më, me Genc Malokun, kam një raport normal, i humbi djali në makinë me mua. Me Dorian Shabën nuk kam pasur komunikim, asnjë kontakt për ngjarjen. Nuk kam interes pasuror në Gjirin e Lalzit.

SPAK: E njihni Halit Valterin?

Arjan Ndoji: E njoh si figurë publike, e përshëndeta dhe qeparë. Ka nxjerrë një video, ku sipas tij janë autorët e atentatit tim. Nxorri videon në Kuvend, por nuk e di a janë ata? Basir Meçen, babain e Julian Meçes, e kam pyetur: Të kam ndonjë borxh unë ty? Nje djalë ke, merre dhe hiqe nga Shqipëria. Nëse është lidhje me atë (Plarent Dervishaj), është thjesht ushtar.

*Ndërhyn Plarent Dervishaj: M’u drejto me emër mua!  I vetmi konflikt që përmende ishte konflikti me kryeministrin, dhe ish-zv-kryeministrin. Konflikt me mua më thua që nuk ke patur. Është politik atentati yt apo jo?

Arjan Ndoji: Ke ndonjë konflikt me mua?

Plaurent Dervishaj: Jo po të kem, ta them këtu. Sipas teje, nuk ka arsye, nuk njihemi, nuk kemi konflikte. A ke informacione ti, që unë kam dhënë porosinë për të të vrarë?

Arjan Ndoji: Për ty kam dëgjuar shumë, po këto të dëgjuarat i marr me rezerva. Unë po të shoh në sy. Kam ardhur të të shoh në sy nëse të kam gjë borxh mos hezito.

Plarent Dervishaj: Në sy të shoh dhe unë.

Arjan Ndoji: E shoh, je trim ti.

Plarent Dervishaj: Ti kujton se po të kesh gisht ti tek atentati im, do të ta fal?

Arjan Ndoja: Cilin atentat?

Plarent Dervishaj: Atentatin tim, ka ndodhur nja 4 muaj para teje.

Arjan Ndoja: Unë kam ardhur për atentatin tim, jo tëndin.

Plaurent Dervishaj: Ndodhi 4 muaj para tëndit. Jo ti po kushdo qofsh mendon qe ta fal unë ty?

Arjan Ndoja: Kam ardhur për atentatin tim jo tëndin. Dyshoj se dikush më ka futur në konflikt mua dhe personat e tjerë. Ai që ka bërë këtë gjë ka dashur të bëjë emër dhe të pastrojë territorin. Mua më ka ardhur një letër që ishte Julian Meçe.

Avokati i Dervishajt: Është gjetur një dosje hetimore e pronave në Hamallaj e vjedhur në postën e Durrësit në makinën tuaj në bagazhin e mjetit. Bëhet çështje penale për falsifikimin e pronave. Çfarë dijenie keni?

Arjan Ndoji: Dosja në makinë nuk ishte e imja, por e një avokati që i kisha shitur makinën që kisha tip "Tiguan". Nuk është dosje e vjedhur dhe nuk më përket mua. Janë materiale që i takonin një avokati, nuk kam lidhje unë me ato dosje.

Plaurent Dervishaj: Tha që nuk ka pasur konflikt mua. Përmende vetëm konfliktin me kryeministrin dhe zv.kryeministrin. A ke dëgjuar nga dikush që porositësi jam unë? The që kam pas konflikt me Erion Braçen? A e ke atentatin politik apo personal? Se mos më ka porositur Erion Braçe?

Julian Meçaj: Kur iu kanë ardhur letrat anonime për ngjarje keni qenë prokuror, i keni dorëzuar letrat në prokurori?

Arjan Ndoji: Jo.

Prokurori: A mendoni se deklaratat e kryeministrit dhe zv. kryeministrit kanë ndikur në atentatin tuaj?

Arjan Ndoj: Nuk e di!

Avokati i Meçajt: Si e shlyeni borxhin që përmendët?

Julian Meçaj: Je nul në të gjithë veriun, ke prerë leshtë e trafikantëve. Të kam unë borxh, si do ma shlyesh?

Plaurent Dervishaj: Ja edhe mua më ke mua borxh, si do ma shlyesh?

Arjan Ndoj: Më thuaj çfarë borxhi, të them si do e shlyej.

Plaurent Dervishaj: Herës tjetër na sillni një gjinekolog të na kontrollojë, jemi burra apo jo. Jashtë emrat nuk i përmend me emra, përmendi këtu në sallën e gjyqit. Në burg nuk jam pa emër unë.

Ndërsa ish-deputeti Halit Valteri ka deklaruar se babai i Andi Malokut, i cili mbeti i vrarë, e ka kontaktuar dhe i ka treguar një video të dy personave që ai pretendonte se i kanë vrarë të birin. Valteri shtoi se pasi nxorri videon, është telefonuar nga Ramazan Rraja pasi i kishte përmendur emrin. Në fund, theksoi se çështjen e kishte përdorur për të fituar kredenciale pasi asokohe ishte deputet i Partisë Demokratike. 

“Genci Malokun e kam njohur pak ditë pasi djali i tij ndërroi jetë. Erdhi, m’u prezantua dhe më tha: “Më kanë vrarë djalin” dhe shtoi: “Kam videot e atyre që ma kanë vrarë.” Kam bërë interpelancë me ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Sandër Lleshaj. Më ka dhënë një tablet ku duken dy persona, një me kapele dhe një pa kapele, dhe ai pretendonte: 'Këta ma kanë vrarë djalin.Nëse flet në Parlament, kjo ngjarje do të zbardhet.' Kam përmendur disa emra dhe oficerë policie, sipas atyre që më ka thënë Genci Maloku. Kam folur në Parlament në emër të Genci Malokut. Pas Parlamentit, më ka telefonuar Ramazan Rraja. E njoh prej kohësh; nuk më ka kërcënuar, por më ka thënë: “Pse na ke përmendur emrat? Pse ke përmendur emrin e Lentit?” Ramazan Rraja më ka telefonuar në telefon, në WhatsApp. E kam shfrytëzuar këtë çështje politikisht për të marrë kredencialet e mia politike si deputet i opozitës,”- ka deklaruar Valteri.

Në gjyqin kundër Plarent Dervishajt ka dëshmuar edhe kushëriri i shoferit Andi Malokut, por u shpreh se nuk di asgjë për ngjarjen dhe për atentatin e mori vesh nga familjarët. 

Biseda në seancën gjyqësore:

Prokurori: A keni lidhje me Andi Malokun?

Maloku: Është djali i djalit të xhaxhait tim, punonte shofer tek Arjan Ndoja. Banonin në Tiranë ai dhe prokurori. Unë nuk di asgjë, kam marrë një telefonatë që kanë plagosur Andin. Ngjarja ka ndodhur tek mbikalimi i Shkozetit jam njoftuar rreth orës 5:30. E kam pyetur si ka ndodhur ngjarja dhe me tha që ka qenë në një lokal duke ngrenë drekë me Arjan Ndoj, Aleksandër Lahon. Më ka thënë që ka parë një femër me emrin Lusi që ka lëvizur dy tre herë.

Prokurori: A ju ka ardhur ndonjë person pas ngjarjes?

Maloku: Kanë ardhur tre persona nga Nikla rreth dy javë më pas, vinin për llogari të fisit të vet me mbiemër Rraja. Njëri ishte nga malësia e Krujës, njëri nga Nikla dhe tjetri jetonte në Tiranë, takimi zgjati rreth 30 minuta dhe i kërkuam që të na tregonin kush e ka bërë na thanë që do vijnë dhe nuk erdhën më. Njoh Plaurent Dervishajn prej shumë kohësh, nuk kam patur asnjë problem.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur dënimet për 5 persona të akuzuar për atentatin e 2019-ës. Ndër të dënuarit është Ramazan Rraja, nipi i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili u dënua me 6 vite burg. Genti Ndërjaku mori një dënim prej 5.4 vite, ndërsa Bashkim Haxhia dhe Endrit Sinani u dënuan me nga 4.8 vite secili. Julian Pjetri u dënua me 4.4 vite heqje lirie. Për këtë ngjarje, Redjan Rraja, një tjetër nip i ish-deputetit Rrahman Rraja, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Ariol Halili është dënuar me 35 vite burg. Porositësi zbulohet se ka qenë Plarent Dervishaj, i cili prej disa vitesh fshihej në Dubai, por tashmë është ekstraduar dhe po përballet me drejtësinë. "Porosinë" për të hequr qafe ish-hetuesin, Dervishaj ia besoi Ramazan Rrajës, i cili në bashkëpunim me Arjol Halilaj kryen atentatin. Të dënuarit e tjerë u morën me "logjistikën" e atentatit. 

Kush është Arjan Ndoj?

Arjan Ndoji është një ish-prokuror drejtues i akuzës në Durrës, i cili u shkarkua nga procesi i Vetingut për kontakte të papërshtatshme me krimin dhe mungesë aftësish profesionale. Por Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, "Rumin e Shijakut". Në maj të vitit 2022, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj. Ai u hetua për të tri kriteret dhe gjatë vlerësimit të figurës së tij, u konstatua papështatshmëri e figurës, pasi dyshohet se ka favorizuar persona me precedent penalë gjatë detyrës së tij. Por edhe pse s'mund të ishte më pjesë e drejtësisë, në maj të këtij viti, Ndoji garoi në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Durrësit, duke ia dalë që të fitonte mandatin si deputet i Kuvendit të Shqipërisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB