
TIRANË- Kanë kaluar më shumë se dy vjet që kur lumi Vjosa në Shqipëri u shpall Parku i parë Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë - duke shënuar një fitore të paparë për natyrën. Megjithatë, gjatë 8 viteve të fundit, ndotja toksike që shkaktohet nga një degë e lumit po shkakton shumë probleme. Dega derdh në lumin kryesor naftë dhe dëmet janë të rënda. Impiantet e naftës dhe asfaltit në pronësi të qeverisë po rrjedhin naftë në kufijtë e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa, duke dëmtuar shëndetin e lumit. Vetëm disa litra naftë mund të ndotin mijëra litra ujë dhe ajo që rrjedh aktualisht është shumë më tepër, duke kërcënuar habitatet dhe jetën e egër poshtë rrjedhës.
Faqja "Blue Heart Rivers" ka ndarë në Instagram disa imazhe skandaloze se si Parku Kombëtar i Vjosës është shndërruar në një vendgrumbullim mbeturinash të industrisë së naftës dhe asfaltit. Për të parë nga afër situatën, në Shqipëri ka ardhur Ulrich Eichelmann, CEO i Riverëatch. Ajo që dëshmoi ishte tmerruese dhe e pashoqe. Ai veshi qese të zeza në këmbë dhe tentoi që të futej në degën e lumit, por dështoi nga frika se mos mbetej aty. Si dëshmi të dëmeve që i shkaktohen mjedisit, ai nxorri një gjarpër uji, i cili kishte tentuar që të dilte në breg.
"Është një baltë, është e trashë si katran dhe është rreth 10 cm këtu dhe ndoshta është shumë më tepër atje. Nuk po shkoj atje sepse mund të mos dal më. Ajo që shohim këtu sot më bën të mendoj vërtet se po qëndrojmë këtu pranë një dege që derdhet në Vjosë dhe në fakt nuk është më ujë. Është vetëm naftë bruto. Kjo është një katastrofë. Ja ku janë kafshë të ngordhura. Ka një gjarpër që përpiqet të notojë nëpër këtë naftë dhe ngordhi. Ky është një nga shembujt më të këqij të shkatërrimit të lumit që kam parë ndonjëherë. Dhe fakti që ai derdhet në Parkun Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë është një turp," - Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch.
View this post on Instagram
Ky është Parku i vetëm Kombëtar i Lumit të Egër në Evropë. Madje, dy javë më parë, Ministrja Mirela Kumbaro njoftoi se lumi Vjosa, i njohur si “lumi i fundit i egër në Evropë”, pritet të përfshihet në listën e vendeve të trashëgimisë të mbrojtura nga UNESCO, si pjesë e programit ndërkombëtar “Njeriu dhe Biosfera”. Megjithatë, me situatën më të fundit, të zbuluar nga Eichelmann mund të vërë në pikëpyetje marrjen e statusit “Rezervë Biosfere”./ZËRI