
TIRANË- Kreu i "Nisma Shqipëria Bëhet", deputeti i zgjedhur, Adriatik Lapaj është paraqitur sërish në SPAK për të marrë pjesë në gjyqin për shpifje ndaj kreut të "Mundësia", Agron Shehaj. Ky i fundit e ka akuzuar Lapajn se kishte marrë 45 mijë euro nga një kompani që ishte në pronësi (indirekte) të vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja. Në gjyq, përfaqësohet nga avokati i tij, i cili deklaroi në sallë se i janë drejtuar Kadastrës për prova, si dhe disa bankave. Po ashtu, shtoi se kanë kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendimin për rivlerësimin e vjehrrit të Lapajt, ish-gjyqtarit Alltun Çela.
Edhe në sallën e gjyqit, Lapaj ka ripërsëritur se ai është kontraktuar si avokat dhe ka marrë pagesën për shërbimet e tij.
DISKUTIMET NË SALLË:
Avokati i Shehajt: I jemi drejtuar Kadastrës për të marrë prova dhe disa bankave, por nuk na japin informacion në lidhje me paditësin. Pretendohet se kemi fyer dhe shpifur në lidhje me administratorët e një kompanie që është në hetim nga SPAK, ku Lapaj ka qenë avokat. Ne kemi kontratat ku ai është paguar nga kjo kompani në vlerën e 4 milionë lekëve për regjistrimin e saj në gjykatë. Kemi edhe disa vendime të Gjykatës së Sarandës që janë përfaqësuar nga viktima akuzuese, por që vendimi është marrë nga vjehrri i tij. I jemi drejtuar edhe KPA për vendimin e rivlerësimit të vjehrrit të Lapajt.”, deklaroi avokati.
Adriatik Lapaj: Vjehrri im nuk ka lidhje me atë pronë që është regjistruar. Unë kam përfaqësuar 35 pronarë dhe jo kompaninë. Kompania ka bërë pagesën se donte të blinte pronën. Momenti i dytë është për një pronë në Ksamil. Nuk është e vërtetë ajo që pretendojnë se këtë çështje e kam përfaqësuar unë në Apel.
Agron Shehaj pretendoi se ka dokumente se Lapaj është paguar nga një kompani e sekuestruar nga SPAK si dhe ka ndërhyrë për nxjerrjen e një certifikatë pronësie në bregdet. Shehaj thotë se Lapaj ka marrë 45 milionë lekë nga kompania “Merkaj 3”, e cila u sekuestrua pasi përdorej për të pastruar paratë e grupit kriminal të vëllezërve Hajdar dhe Franc Çopja. Këto u kundërshtuan nga Lapaj, i cili po ashtu tha se ka dokumente që vërtetojnë të kundërtën se nuk ka marrë para, madje ajo kompani i detyrohet atij për punën e bëtë si avokat./ZËRI