
SARANDË-Është ende e rrethuar me mister, ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Sarandë, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në det, një person humbi jetën, rreth 100 metra larg portit. Ende nuk është arritur të identifikohet viktima dhe as të përcaktohet nëse është shqiptar apo i huaj. Përveç identifikimit të viktimës, edhe shpërthimi mbetet i papërcaktuar. Paraprakisht u njoftua nga Policia se bëhet fjalë për bombul oksigjeni.
"Në afërsi të Portit Detar të Sarandës, një polumbari ende të paidentifikuar, dyshohet se i ka shpërthyer aksidentalisht gjatë zhytjes në det bombula e oksigjenit, ku për pasojë ka humbur jetën,"-thuhej në njoftimin e Policisë.
Por rrjedha e hetimit ka ndryshuar, pasi polumbarët kanë gjetur sot në thellësinë e detit pranë vendit të ngjarjes copa metalike qe dyshohet se i përkasin mjetit lundrues në të cilin dyshohet se ndodhej viktima, megjithatë nuk është arritur të saktësohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë. Dyshimet lidhur me faktin që viktima ndodhej në një mjet tepër të vogël e ndoshta artizanal lundrues pranë Portit Detar dhe se shpërthimi ka ndodhur mbi sipërfaqjen e ujit, i kanë bërë ekspertët të dyshojnë se në fakt mund të ketë pasur një shpërthim eksplozivi.
Viktima është parë nga dy të huaj, të cilët po lundronin me një gomone të vogël drejt jahtit të tyre të ankoruar në radë. Ata e kanë pyetur nëse kishte problem me dicka por ai i është përgjigjur “Jo”. Vetëm pak sekonda më pas është dëgjuar shpërthimi, i cili është shoqëruar me zjarr dhe tym por dhe me zhurrmë, që ka tronditur gjithë qytetin.
Nuk dihet cili ka qenë objektivi, por ngjarja ka ndodhur pikërisht në orën 22.00 kur gjithë vëmendja ka qenë në ndeshjen Shqipëri– Spanjë./ZËRI