Ekonomi

Mashtrimi me mikrokreditë, Sejko: Fondi BESA, një vlerë e shtuar në ekonominë shqiptare

Sipas Sejkos, institucionet si Fondi BESA, NOA dhe Fedinvest, janë një vlerë e shtuar në ekonominë shqiptare.

F.m
Mashtrimi me mikrokreditë, Sejko: Fondi BESA, një vlerë e shtuar
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka komentuar disa prej institucioneve mikrofinanciare. I ftuar në “Wake Up”, ai foli për mikrokreditë që i konsideroi një nevojë për qytetarët që kërkojnë kredi konsumatore apo financime për agrobiznese. Sipas Sejkos, institucionet si Fondi BESA, NOA dhe Fedinvest, janë një vlerë e shtuar në ekonominë shqiptare.

Pjesë nga deklarata:

Kredia është një nga elementët që shoqëron jetën e njerëzve. Përveç kredisë ne flasim për përfshirjen financiare, që do të thotë që njerëzit të kenë llogari bankare, të punojnë me bankat. Ta bëjnë qarkullimin e të ardhurave të tyre përmes bankave, në këtë mënyrë i kanë dhe paratë e sigurta dhe kursejnë. Përfshirja financiare ndihmon dhe për transfertat. Edhe kredia është një nga elementët që njerëzit përfitojnë. Në këtë kontekst, institucionet e mikrokredisë janë të besueshme, patjetër. Ka pasur një diskutim për mikrokreditë dhe janë futur të gjitha, dhe unë kam dëgjuar. Në mungesë informacioni dhe në komente të përgjithshme miksohen, ka disa kategori të institucioneve mikrofinanciare.

Një kategori është pak më e hershme, që ka operuar më shumë, janë më të lashta, më të hershme në kohë, si Fondi BESA, NOA dhe Fedinvest. Këto patjetër janë një vlerë e shtuar në ekonominë shqiptare. Institucionet e tjera, siç janë ato që merren me kredi konsumatore, që janë të nevojshme, pasi njerëzit në të kundërt do t’i drejtoheshin fajdeve. Njerëzit kanë nevojat e tyre që do t’i kryejnë patjetër dhe është më mirë që ta bëjnë në institucione të licensuara dhe të monitoruara se sa të shkojnë në tregun e fajdeve ku normat e interesit janë shumë herë më të larta.

Fenomeni do të ndodhë, nuk janë institucionet që e bëjnë fenomenin, janë njerëzit që kanë nevojë për fenomenin dhe institucionet përgjigjen. Problemi është që institucionet duhet të jenë të monitoruara dhe ne i mbikëqyrim që të mos kenë interesa kaq të larta që njerëzit të dëmtohen. Rregullat e fundit që kemi futur para tre vjetësh për kufizimin e normës efektive të interesit, e kanë ulur tre herë dhe kur dalin shifrat e qershorit, do të jetë e ulur deri në katër herë. Megjithatë, ne po i monitorojmë, rregullojmë edhe njëherë për të parë ulje të mëtejshme të normës së interesit dhe rregulla më strikte në drejtim të transparencës së klientëve.

Punonjësit e një prej këtyre institucioneve janë nën hetim nga drejtësia për mashtrim. Bëhet fjalë për Fondin BESA. ZËRI publikoi rrëfimet e banorëve të zonës së Nishtullës të cilët vijojnë ende të vuajnë pasojat e skemës së mashtrimit të të ashtuquajturës “Sudja” e Fondit Besa, Albana Imami. Mbi 800 qytetarë ranë pre e skemës mashtruese me kreditë, që u zbuluan nga Policia duke vënë në pranga 7 punonjës të fondacionit BESA në Tiranë, mes tyre dhe drejtoresha e Fondit BESA, Albana Imami që kanë marrë mbi 4 miliardë lekë. Të arrestuarit, vetëm me anë të kartës së identitetit bënin që qytetarë të ndryshëm të aplikonin për kredi për shuma të mëdha, ua aprovonin ato, por qytetarëve u jepnin vetëm shuma të vogla, nga 10 mijë deri në 40 mijë duke i justifikuar si fonde bamirësie apo në disa raste dhe si kredi të vogla për të cilat kishin aplikuar vetë qytetarët. Por, shifra për të cilën ishte aplikuar nuk ishte ajo që qytetarët merrnin në dorë. Qytetarët paraqiteshin në momentin që disbursohej kredia, bënin tërheqjen e lekëve në banka dhe u dorëzohej vetëm një pjesë. Pjesa tjetër përfitohej nga Drejtoresha e Degës, Albana Imami dhe bashkëpunëtorët e saj.

Të gjitha viktimat e kësaj skeme që u nisën të merrnin 300-400 mijë lekë të vjetra për bamirësi përfunduan kreditorë tek Fondi Besa me të paktën 6 milionë lekë të vjetra secili. Por edhe pse vitet kanë kaluar dhe autorët janë ndëshkuar, qytetarët e kësaj zone janë ende debitorë dhe nuk mund të rifinancohen nga asnjë bankë. Kushti për rifinancim është shlyerja e gjithë kredisë bashkë me kamatëvonesave që shkon deri në vlerë 10 apo 12 milionë lekë të vjetra.

Vetëm pak ditë më parë, autoritetet vunë në pranga tre punonjësit e Fondit “Besa”, Lindita Ndroqi, Linda Peçi, Eros Aliu, ndërsa në kërkim u shpall Ledion Vrapi. Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe noterja Majlinda Demollari. Vrapi futi në kurth 11 qytetarë dhe i shtyu të hapnin llogari bankare me emrin e tyre dhe të aplikonin për kredi pranë Fondit Besa. Të gjithë, të mashtruar nga Vrapi aplikuan për kredi, për 5-7 milion lekë të vjetra, por në dorë morën 500 mijë lekë. Pjesën tjetër i ka mori Vrapi. Eros Aliu, Linda Peçi dhe Lindita Ndroqi kishin rolin e oficerit të kredisë në institucionin financiar Fondi BESA që kanë aprovuar aplikimet për kredi. Ndërsa Majlinda Demollari me profesion notere, ka kryer noterizimin e kontratave për qytetarët që nuk kanë qenë të pranishëm./ZËRI

Poll

MOS HUMB