
TIRANË- Banka e Shqipërisë, ka deklaruar për "ZËRI" se nuk mundet kurrsesi të ndërhyjë në ndalimin e rritjes së kamatëvonesave të kredive që dhjetëra qytetarë rezultojnë se kanë marrë pranë institucionit Fondi BESA, të mashtruar nga e ashtuquajtura ‘sudja’ Albana Imami. Në një përgjigje zyrtare, BSH shprehet se nga informacioni që Banka e Shqipërisë ka marrë për rastin, rezulton se individë kredimarrës kanë firmosur dokumentet për shumën e plotë të kredisë dhe janë paraqitur tek subjekti për të tërhequr shumën e plotë të kredisë.
Ndërsa, përsa i përket faktit që çështja është nën hetim për mashtrim, por paralelisht kamatëvonesat dhe interesat rriten, duke penalizuar qytetarët në rifinancim apo në marrëdhëniet normale me bankat, Banka e Shqipërisë shton se nuk mund të ndërmarrë asnjë masë në momentin që kjo çështje është nën hetim dhe shqyrtim nga Gjykata. Për këtë përgjigje, BSH citon nenin 36 të Kodit të Procedurës Civile, që thotë se asnjë institucion, përfshirë Bankën e Shqipërisë, nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga organet gjyqësore.
Përgjigjia:
Në lidhje me rastet e lidhura me Subjektin Financiar Jo Bankë “Fondi Besa”, ju bëjmë me dije se nga informacioni që Banka e Shqipërisë ka marr për rastin rezulton se individë kredimarrës kanë firmosur dokumentet për shumën e plotë të kredisë dhe janë paraqitur tek subjekti për të tërhequr shumën e plotë të kredisë. Sqarojmë se Banka e Shqipërisë nuk mund të kryejë verifikimin e nënshkrimeve apo përcaktimin nëse kemi të bëjmë me një rast mashtrimi apo jo. Vërtetimi i pretendimeve të qytetarëve dhe përcaktimi i fajësisë, niveli i bashkëpunimit me drejtoreshën e degës dhe mënyrat e ndarjes së shumave të përftuara nga kreditë mund të kryhet vetëm nga organet kompetente ligje zbatuese. Në lidhje me marrjen e masave nga Banka e Shqipërisë për këto raste, ju bëjmë me dije se në rastet kur ka një vendim apo shqyrtim të gjykatës për këto marrëdhënie, Banka e Shqipërisë e ka te ndaluar te trajtoje adresimin e këtyre shqetësimeve. Kjo referohet qartësisht edhe ne nenin 36 të Kodit të Procedurës Civile, se asnjë institucion, përfshi Bankën e Shqipërisë, nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u gjykuar nga organet gjyqësore.
ZËRI nisi një kërkesë për informacion në Bankën e Shqipërisë pasi pas investigimit të ZËRI-t, i cili me zë dhe me figurë solli denoncimet e qytetarëve, të cilët kishin rënë pre e mashtrimit, autoritetet vunë në pranga tre punonjësit e Fondit “Besa”, Lindita Ndroqi, Linda Peçi, Eros Aliu, ndërsa në kërkim u shpall Ledion Vrapi. Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe noterja Majlinda Demollari.
Vrapi futi në kurth 11 qytetarë dhe i shtyu të hapnin llogari bankare me emrin e tyre dhe të aplikonin për kredi pranë Fondit Besa. Të gjithë, të mashtruar nga Vrapi aplikuan për kredi, për 5-7 milion lekë të vjetra, por në dorë morën 500 mijë lekë. Pjesën tjetër i ka mori Vrapi. Eros Aliu, Linda Peçi dhe Lindita Ndroqi kishin rolin e oficerit të kredisë në institucionin financiar Fondi BESA që kanë aprovuar aplikimet për kredi. Ndërsa Majlinda Demollari me profesion notere, ka kryer noterizimin e kontratave për qytetarët që nuk kanë qenë të pranishëm. Kjo skemë është përsëritur edhe në Nishtullë, nga ku banorët denoncuan tek ZËRI dhe kërkuan drejtësi, pasi sot janë afro 12 milionë lekë secili, debitorë pranë Fondit BESA.
ZËRI nisi një kërkesë për informacion edhe në Gjykatë në momentin që mori dhjetëra denoncime nga banorët e zonës së Nishtullës, por drejtësia nuk ka ende një vendim të formës së prerë mbi këtë çështje. Çështja ka kaluar në duart e gjyqtarit Edvan Vecani dhe procesi ende nuk ka përfunduar, duke zvarritur më tej në borxhe viktimat e skemës së mikrokredive, pasi detyrimet e tyre shtohen çdo ditë që kalon.