
TIRANË- Të gjithë qytetarët që nuk kanë paraqitur ankesa për marrëdhëniet që kanë pasur me Subjektet Financiare Jo Banka “Micro Credit Albania” dhe “FINAL”, të cilave u është revokuar licensa, duhet të vazhdojnë të kryejnë pagesat për detyrimin që kanë si dhe këshillohen të ruajnë dokumentin e pagesës. Në një përgjigje zyrtare kundrejt kërkesës për informacion drejtuar nga ZËRI, bazuar në ligjin nr.119/2014 për të drejtën e informimit, Banka e Shqipërisë sqaron se ankesa mund të adresojnë vetëm ata qyetarë që nuk u ka kaluar dosja për veprime të mëtejshme në përmbarues, që janë të rregullt me pagesat, por që kanë pretendime përsa u përket detyrimeve në institucionet “Micro Credit Albania” dhe “FINAL”. Në rastet që është bërë një ankesë e tillë, BSH informon se është regjistruar dhe po shqyrtohet nga grupi i punës i ngritur posaçërisht për këtë qëllim dhe se në raste se do të nevojiten informacione shtesë apo dokumentim të detyrimeve/pagesave, personat do të kontaktohen.
“Së pari, në lidhje me ankesat e qytetarëve për marrëdhëniet që kanë pasur me Subjektet Financiare Jo Banka “Micro Credit Albania” dhe “FINAL”, për të cilat Banka e Shqipërisë ka marrë vendimin për revokimin e licencave, ju bëjmë me dije se tipologjia e ankesave të mbërritura pranë Bankës së Shqipërisë është e shumtë dhe konsiston në: Kërkesë për informacion për vijimin e pagesave; Kërkesë për informacion mbi nivelin e detyrimit/statusin në Sistemin e Regjistrit të Kredive; Kërkesë/ankesë për shumën e detyrimit që ka paguar në vite dhe atë që ka mbetur; Ankesë në lidhje me veprimet përmbarimore të ndjekura nga Përmbaruesit për bllokimin e llogarisë/pronë etj. Për sa më sipër, Banka e Shqipërisë ka informuar qytetarët te cilët nuk kanë pretendime mbi marrëdhënien me subjektet MCA dhe FINAL se duhet të vazhdojnë të kryejnë pagesat për detyrimin që kanë ndaj subjektit në bankën/bankat më të cilat edhe më parë kanë kryer pagesa për këtë qëllim.
Gjithashtu, janë këshilluar të administrojnë ruajtjen e dokumentit të pagesës në vartësi edhe të formës së pagesës (në sportelet e bankës apo platformës dixhitale). Në rastet e kërkimit të informacionit mbi nivelin e detyrimit apo statusin në Sistemin e Regjistrit të Kredive, janë udhëzuar që të paraqiten pranë Bankës së Shqipërisë, në adresën “Bulevardi “Deshmoret e Kombit”, Nr. 3 (ish-Hotel Dajti)” dhe të paraqesin një dokument identifikimi, një certifikatë personale dhe formularin e plotësuar të aplikimit për raport kredimarrësi, në mënyrë që të pajisen me raportin e kredimarrësit. Me anë të këtij raporti qytetarët mund të informohen përsa raportuar nga subjekti mbi shumën e detyrimit të mbetur, pjesën në vonesë (nëse ka), statusin në të cilin ai paraqitet (përformues, me probleme, i paguar ose i fshirë), etj., për të gjitha marrëdhëniet e huamarrjes që mund të kenë me institucione të ndryshme financiare, të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
Për individët, ky raport ofrohet pa pagesë nga Banka e Shqipërisë. Në rastet kur qytetarët kanë pretendime mbi mënyrën e llogaritjes së detyrimit dhe/ose të destinacionit të pagesave që kanë kryer, janë informuar se ankesa e tyre është regjistruar dhe po shqyrtohet nga grupi i punës në BSH, i ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Në raste se do të nevojiten informacione shtesë apo dokumentim të detyrimeve/pagesave, personat do të kontaktohen,”- shprehet Banka e Shqipërisë.
Në të njëjtën përgjigje, Banka e Shqipërisë sqaron se të gjithë ata qytetarë që kanë paraqitur ankesë në lidhje me veprimet përmbarimore të ndjekura nga Përmbaruesit për bllokimin e llogarisë/pronë etj, duhet të dinë që kjo është një çështje përtej tagrit të Bankës së Shqipërisë. Por, BSH shton se këto ankesa do t’i referojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë.
“Ndërkohë që në rastet kur qytetarët ankohen në lidhje veprimet përmbarimore të ndjekura nga Përmbaruesit për bllokimin e llogarisë/pronës, ndonëse procedurat e ndjekura nga përmbaruesit, dalin përtej tagrit tonë ligjor dhe nuk mund të ndiqen nga Banka e Shqipërisë, në rolin e autoritetit mbikëqyrës të sistemit bankar, në bazë të dispozitave të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997 “ Për Bankën e Shqipërisë”, ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, si dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, rastet sipas kushteve Banka e Shqipërisë do t’i referoje pranë Ministrisë së Drejtësisë si dhe inkurajojmë ndjekjen e procedurave në Republikën e Shqipërisë për kundërshtimin e veprimeve përmbarimore të ndërmarra nga Përmbaruesit,”- vijon përgjigjia.
ZËRI drejtoi një kërkesë për informacion në Bankën e Shqipërisë, pasi dy qytetarë që denoncuan pranë redaksisë tonë institucionet mikrofinanciare, mbetën pa përgjigje.
Hike Laci u orientua në një tjetër zyrë që nuk mbante as emër dhe as tabelë, që ndodhej përballë Tajvanit. Aty e plotësoi formularin e ankimimit, por vetëm pak ditë më vonë, Banka e Shqipërisë i drejtohet Hike Lacit dhe i shkruan se procedurat e ndjekura nga përmbaruesit, janë përtej kompetencave dhe funksioneve të Bankës së Shqipërisë në rolin e autoritetit mbikëqyrës të sistemit bankar.
Hike Laci sot gjendet në një situatë mjaft të vështirë, ajo as nuk punësohet dot diku pasi i është bllokuar llogaria bankare dhe për rrjedhojë është në kushte mbijetese. Bashkëshorti i Hike Lacit, Liman Laci ka marrë një kredi konsumatore tek Raiffeisen Bank, të cilën e ka shlyer, por vite më vonë, është telefonuar nga Micro Credit Albania dhe sot i kërkohen 18 milion lekë. Pa harruar këtu dhe faktin që Hike Laci nuk mund të bëjë asnjë lëvizje në llogarinë bankare, pasi i sekuestrohen nga përmbaruesit.
Ndërsa qytetari tjetër, Vladimir Kamberi, pasi i është bërë një kontroll i imtësishëm dhe i është marrë telefoni, Ladi është përzënë duke i thënë të shkojë në disa zyra inekzistente në “Rrugën e Dibrës” dhe “Rrugën e Barrikadave”.
Nga ana tjetër, hetimet dhe lëvizjet për këtë skandal vijojnë. Vetëm pak ditë më parë, ministri Ulsi Manja ka dërguar në Prokurori një dosje tjetër me 14 të akuzuar. Bëhet fjalë për 10 përmbarues, 1 noter, 1 avokat, 1 ekspert vlerësues, 1 administrator dhe 4 kompani mikrokredish, MCA, Final, ADCA, TDR Group.
Skandali me mikrokreditë:
Prej 6 muajsh, ZËRI denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera. Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA. Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e "Pandorës" pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!/ZËRI