
BEOGRAD- Policia serbe ka nisur një operacion që në orën 5.00 të mëngjesit të sotëm, duke "çmontuar" të gjitha bllokadat e vendosura nga studentët në Beograd dhe në 27 qytete të tjera. Në shumicën e bllokadave, studentët dhe qytetarët u larguan pa rezistencë, ndërsa në disa raste Policia përdori forcë. Gjatë operacionit policor për të rihapur trafikun në rrugët e qytetit, u kryen dhjetëra arrestime.
Studentët njoftuan se nuk do të ndalonin së bllokuari rrugët. Udhëzimet e dhëna në faqen zyrtare të internetit të studentëve janë të qarta për të gjithë: Largohuni kur të vijë Policia, dhe ringrini barrikadat kur efektivët të largohen!
Ndërkohë, dhjetra studentë janë në paraburgim. Ata do të përballen me akuza për "veprime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Serbisë". Për zhvillimet më të fundit ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i quajti bllokadat e rrugëve një "akt terrorist".
"Ne i shkatërruam bandat e huliganëve lehtësisht dhe shpejt,"- komentoi Vuçiç.
PAMJE NGA PROTESTAT:
Ndërkohë, edhe Rusia e ndjek me shqetësim situatën në Beograd. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov shprehu shpresën se gjithçka do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe paralajmëroi Perëndimin të mos ndërhyjë për të nxitur një “revolucion me ngjyra”, siç ndodhi në të kaluarën në vende si Gjeorgjia apo Ukraina. Deklaratat nga Lavrov u përshëndetën nga presidenti Vuçiç.
Ndërkohë që arrestimet kanë nisur, studentët u bënë thirrje partive opozitare që të abstenojnë nga punimet e Parlamentit me qëllim që të ushtrojnë presion mbi udhëheqjen politike për të shpallur zgjedhje të parakohshme. Për 6 muaj, studentët kanë kërkuar që ata që janë përgjegjës për vdekjen e 16 personave nga shembja e tendës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024 të përballen me forcën e ligjit./ZËRI