
SHBA- Në një bar minimalist matcha në Los Angeles, çaji pluhur japonez po përgatitet me precizion, pavarësisht një mungese globale të shkaktuar nga obsesioni i mediave sociale me pijen e gjelbër. Nga 25 llojet e matcha-s në menunë e Kettl Tea, i cili u hap këtë vit në Hollywood Boulevard, të gjitha përveç katër prej tyre nuk ishin më në dispozicion. Me aromën e saj të thellë barishtore, ngjyrën intensive dhe efektet e dobishme, popullariteti i matcha-s është rritur në mënyrë eksponenciale gjatë dekadës së fundit, por shumë më tepër në dy-tre vitet e fundit.
Matcha gjendet kudo, nga dyqanet e akulloreve deri te Starbucks. Japonia tani po përjeton mungesë të çajit për shkak të kërkesës “në rritje”, ndërsa “moda” përhapet me shpejtësi nëpërmjet mediave sociale. Në qytetin japonez Sayama, në veriperëndim të Tokios, Masahiro Okutomi, brezi i 15-të që drejton biznesin e çajit është mbingarkuar nga kërkesa.
"Më është dashur të njoftoj në faqen tonë të internetit se nuk po pranojmë më porosi për çaj matcha", tha ai.
Përgatitja e pluhurit është një proces intensiv: gjethet, të quajtura “tencha”, mbulohen me hije për disa javë para korrjes për të përqendruar shijen dhe lëndët ushqyese. Më pas, ato përgatiten me kujdes me dorë, thahen dhe bluhen imët në një makinë.
Matcha e ka origjinën në Kinë, por prodhimi i lëndës së parë u ndalua në Kinë në shekullin e 14-të. Kultivimi i saj u "rishpik" në Japoni në shekullin e 16-të dhe shumica e matcha-s prodhohet atje sot. Ceremonia tradicionale japoneze e çajit, e njohur zakonisht si "chanoyu", përqendrohet në përgatitjen, servirjen dhe pirjen e matcha-s dhe përfshin një praktikë meditative dhe shpirtërore.
Matcha përdoret gjithashtu për të aromatizuar dhe ngjyrosur ushqime si mochi dhe soba noodles, akullore me çaj jeshil, matcha lattes dhe një shumëllojshmëri ëmbëlsirash japoneze "wagashi".
“Duhen vite trajnimi për ta bërë siç duhet matcha-n. Është një përpjekje afatgjatë që kërkon pajisje, punë dhe investime.Jam i lumtur që njerëzit janë të interesuar për matcha-n tonë... por në planin afatshkurtër, është pothuajse një kërcënim - thjesht nuk mund t’ia dalim mbanë me kërkesa,”- tha Okutomi.
Oreksi global për çajin matcha krijon si mundësi ashtu edhe sfida. Raportet për mungesat u shfaqën në vjeshtën e vitit 2023, duke i detyruar kompanitë e çajit në Kioto të vendosin kufizime për blerjen e çajit, i cili konsumohet në Japoni që nga shekulli i 12-të, pasi u importua nga murgjit budistë nga Kina.
Rritja e kërkesës në Evropë, SHBA dhe Australi ka nxitur paralajmërime për mungesa dramatike edhe këtë vit. Ndërsa konsumi i çajit jeshil dhe gjetheve të çajit matcha po bie në Japoni, pjesa tjetër e botës është e pangopur. Tregu globalpritet të rritet nga 2.8 miliardë dollarë në vitin 2023 në rreth 5 miliardë dollarë deri në vitin 2028.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, Japonia prodhoi 4,176 ton çaj në vitin 2023, pothuajse trefishi i sasisë në vitin 2010. Në një përpjekje për të përfituar nga kjo tendencë, qeveria japoneze po planifikon subvencione për të inkurajuar kultivuesit të "largohen" nga prodhimi i çajit tradicional dhe të fokusohen më shumë tek matcha./ZËRI