
SHBA- Presidenti amerikan, Donald Trump tha se nuk po flet me Teheranin që pasi sulmoi objektet bërthamore iraniane, duke theksuar se nuk i ofron asgjë Iranit, në kundërshtim me qëndrimin e mbajtur nga ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama.
Në një postim që bëri gjatë natës në Truth Social, presidenti i SHBA-së shkroi: “Unë NUK i ofroj ASGJË Iranit, ndryshe nga Obama i cili u pagoi atyre miliarda dollarë si pjesë e lëvizjes së pamend drejt një Plani të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit për armët bërthamore (i cili tani do të kishte skaduar!). Unë as nuk kam folur me ta që kur NE I SHKATËRRUAM PLOTËSISHT objektet e tyre bërthamore.”
Edhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, u tha ligjvënësve amerikanë se sulmet e fundit ushtarake të SHBA-ve i kanë dhënë një goditje të rëndë programit bërthamor të Iranit. Sipas tij, ato shkatërruan të vetmen qendër të konvertimit të metaleve të vendit.
Teherani i kërkoi OKB-së të njohë Izraelin dhe SHBA-në si përgjegjëse për luftën 12-ditore kundër Iranit, e cila përfundoi më 24 qershor me zbatimin e një armëpushimi, sipas një letre të botuar sot drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.