
TURQI- Europa është nën pushtetin e temperaturave ekstreme dhe vala e të nxehtit, ka sjellë dhe zjarre. Pas Greqisë, Turqia po përballet me një valë shkatërruese zjarresh pyjore që kanë përfshirë rajonet Izmir, Denizli, Aydın dhe Manisa gjatë 24 orëve të fundit.
Vendi po përballet me vatrat më të mëdha të zjarrit në javët e fundit, me mijëra hektarë pyje të shkrumbuar dhe rrezik për banesa, pasuri dhe natyrë. Autoritetet kanë evakuuar të paktën 10 lagje, shumica në Seferihisar, për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve të nxitura nga erërat që arritën deri në 120 km/h. Siç shkruajn mediat turke, flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Helikopterë, avionë zjarrfikës dhe automjete të tjera, si dhe më shumë se 1,000 njerëz, morën pjesë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, tha ministri. Zjarri është aq i madh sa është bërë i dukshëm edhe nga ishujt grekë.
Sipas Ministrit të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, 23 shtëpi dhe 47 njësi banimi janë shkatërruar, ndërsa 41 shtëpi dhe 25 stalla janë dëmtuar rëndë në provinca të tjera, si Bilecik. Fotot ajrore para dhe pas zjarrit tregojnë shtëpi të shkatërruara dhe pyje të djegura pas një zjarri në lagjen Seferihisar të Izmirit.
Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, tha se nëntë nga zjarret pyjore ishin të mëdha dhe se zjarret në Manisa Akhisar, Izmir Kuyucak dhe Doganbey mbetën të pakontrolluara.
Paralelisht me përpjekjet për kontrollimin e zjarrit, autoritetet kanë nisur hetime për zjarrvënie të qëllimshme. Prokuroria e Izmirit ka konfirmuar arrestimin e një personi që dyshohet se ka përdorur benzinë për të ndezur zjarrin. Ndërkohë, 17 persona të tjerë janë ndaluar për hetim lidhur me zjarret që shpërthyen ditët e fundit.