
TIRANË-Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Eglantina Isufaj, e cila braktisi foshnjën e saj të porsalindur në një bodrum pallati në Yzberisht. Me kërkesë të avokatëve mbrojtës, 30-vjeçares do t'i bëhet ekspertiza psikologjike. Lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të djalit që e braktisi në një bodrum pallati në Yzberisht, nëna e mësoi në gjykatë. Në ekspertizën mjeko ligjore foshnja, për shkak të qëndrimit në ambjentet e bodrumit të pallatit kishte marrë ftohje te rëndë dhe në disa pjesë të trupit kishte kafshime nga minjtë.
Para gjykatës Isufaj ka rrëfyer gjithçka nga momenti i lindje, deri tek braktisja nga i dashuri dhe frika nga familja. Sipas dëshmisë, dhimbjet e lindjes e kapën në orën 6 të mëngjesit dhe ka shkuar e vetme në bodrumin ku u gjend foshnja, të cilin pasi e lindi e braktisi. Në pyetje është marrë edhe ish i dashurin i saj me emrin Klodi, por ai nuk pranoi të ishte babai i fëmijes.
"Punoj në një fabrikë këpucësh. I dashuri quhet Klodi, më ka braktisur dhe nuk është interesuar pasi mbeta shtatzënë. Më zunë dhimbjet dhe shkova te garazhi, nuk e mbaja dot sepse kisha presionin e familjarëve që nuk e pranonin pasi isha e pamartuar”- ka deklaruar 30 vjeçarja.
Ndërkohë, e ëma e 30-vjeçares ka deklaruar se nuk e kishin kuptuar se vajza kishte qenë shtatzënë, pasi vishte rroba të gjera.
“Nuk e dija që ishte shtatzënë, se kam kuptuar pasi mbante veshur rroba të gjëra”,-deklaroi nëna e 30-vjeçares.
Foshnja e porsalindur u gjet nga banori i pallatit brenda bodrumit në Yzberisht. Pasi ka dëgjuar të qarat ai ka zbritur poshtë dhe ka gjetur foshnjën, të mbështjellë me disa batanije. Pas kësaj ai ka lajmëruar menjëherë Policinë, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes. Foshnja nuk ia doli të mbijetonte pavarësisht se mori ndihmë nga bluzat e bardha dhe u fut në intubim. Pas disa orësh u arrestua edhe nëna, një 30-vjeçare nga qyteti i Pogradecit, e identifikuar si Eglantina Isufaj./Zëri.ai