
TIRANË- Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili u zgjodh në një mandat të dytë në zgjedhjet e 14 Majit, është në telashe serioze me drejtësinë. Pasi SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion elektoral, në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022, tashmë ndaj tij ka një dosje të re, që i është dërguar Prokurorisë së Posaçme nga drejtësia italiane.
Sipas WEBLAJM, Ministria e Drejtësisë italiane, në një shkresë zyrtare prej 10 faqesh, i ka kërkuar SPAK-ut që të kryejë hetime dhe verifikime të thelluara për Memollën dhe për 7 persona të tjerë. Me mbërritjen e kësaj kërkese, SPAK ka nisur nga puna për të zbuluar nëse Memolla ka apo jo lidhje me një grup kriminal, që merret me trafikun e drogës, dhe pastrim parash, nga të afërmit e tij, që kanë dhe aktivitete në fushën e biznesit.
Hetimet kanë nisur nga Prokuroria e Peruxhias ndërsa kompania e ndërtimit e përdorur për transaksion rezulton në qytezën e Nocera Umbra. Memolla ka jetuar prej disa vite në Itali, ndërsa familja e tij disponon edhe një kompani ndërtimi në Umbra nga e cila është kryer edhe transaksioni prej 1 milion eurosh. Por pala italiane kërkon hetim të thelluar për këtë transaksion, dhe për të verifikuar rolin e plotë të vetë Memollës./ZËRI