
TIRANË- Edison Memolla, kryebashkiaku i Rrogozhinës është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për korrupsion zgjedhor. Zëri.ai ju sjell dhe pamjet ku Memolla shihet teksa futet në SPAK, i shoqëruar dhe nga avokati i tij.
Memolla është marrë i pandehur nga SPAK nën akuzë për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022, kohë kur u denoncua se kishte ndërhyrë tek OSHEE-ja që të mos i ndërpritjej energjia elektrike një familjeje të varfër që nuk kishte mundësi t’i paguante. Në këmbim, familja do të votonte Memollën.
Konkretisht, elektriçistët kishin shkuar në shtëpinë e zonjës për të prerë dritat pasi ajo kishte disa muaj pa paguar dhe kjo e fundit i ka kërkuar ndihmë kryebashkiakut Memolla.
Gjatë bisedës telefonike që u publikua dhe në media, kryebashkiaku dëgjohet t’i kërkonte të bisedonte me elektricistin të cilin e porositi të mos ia presë dritat sa të kalojë edhe muaji i zgjedhjeve.
Madje Memolla shprehej se ishte i gatshëm ta paguante ai faturën e muajit, por pasi elektricisti i komunikon se familja në fjalë kishte 5 muaj pa paguar dritat, kryetari i bashkisë është shprehur se do të komunonte me shefin e tij.
Kjo dosje është në duart e Edvin Kondilit.
Përgjimi:
Më herët u raportua se Memolla po hetohet edhe pas denoncimeve se ka abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, e se ka firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti. Paraprakisht, dyshohet se disa qytetarë kanë përfituar dy herë dëmshpërblim për të njëjtin objekt. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar edhe sekuestrimin e dokumentave mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet, si dhe ka bërë gati dhe ‘ftesat’ për të pyetur punonjës të bashkive.
Ndërsa në prill të këtij viti, Memolla u morn ë pyetje nga SPAK, pasi dyshohej se kishte bërë punësime fiktive në bashki.