
TIRANË- Më shumë se 1/3 e kryebashkiakëve të zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste kanë qënë apo janë nën hetim nga SPAK, ndërsa disa prej tyre janë marrë të pandehur, dhe janë dënuar me vendim të formës së prerë. Për pothuajse të gjithë të zgjedhurit vendorë ka dosje të hapura në SPAK, dhe kallëzime që i janë bërë nga kundërshtarët politikë, por edhe qytetarë të ndryshëm.
I fundit që ngjiti shkallët e SPAK gjatë ditës së sotme, ishte kryebashkiaku socialist i Bashkisë së Libohovës, Leonard Hida, i cili akuzohet për shpërdorim detyre, gjatë kohës që ka mbajtur detyrën e shefit të krimeve në komisariatin e Gjirokastrës. Sipas dosjes së SPAK, që i referohet ZËRI, Hida dyshohet se ka favorizuar kultivimin e lëndëve narkotike në disa fshatra në Gjirokastër kundrejt marrjes së rryshfetit. Vetë Hida u shpreh i gatshëm që të jepte dorëheqjen në rast se do t’i kërkohej nga SPAK, ndërsa tha se nuk kishte qenë në dijeni të hetimeve nga Prokuroria, përpara se të merrte detyrën në Majin e vitit të kaluar.
Por Hida është i fundit në listën e gjatë të të zgjedhurve socialistë, që në gjuhën e kryeministrit Edi Rama do të quheshin drurë të shtrembër, që ka shkuar në dyert e SPAK. Para tij, janë vënë nën hetim, e padje dhe çuar pas hekurave emra të tjerë me peshë në radhët e të zgjedhurve socialistë, ku ndër më të vrëndësishmit prej tyre kanë qenë Vangjush Dako i Durrësit, apo Safet Gjici i Kukësit. Historia e përballjes së socialistëve me drejtësinë ka nisur edhe përpara nisjes së punës nga SPAK, teksa në vitin 2017, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Gjykata do të dënonte ish-kryebashkiakun e Dibrës Shukri Xhelili.
Ai u dënua me 4 vite burg për akuzën e korrupsionit pasiv nga Gjykata e Krimeve të Rënda pas publikimit të videoskandalit ku i kërkonte favore seksuale në këmbim të një vendi pune më të mirë, një vartëseje të tij. Por Xhelili vuajti vetëm 2 vite e 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.
ZËRI ju sjell një përmbledhje të hetimeve, arrestimeve dhe dënimeve, të kryebashkiakëve socialistë, që nga nisja e detyrës nga SPAK.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, në pritje të dënimit
Vangjush Dako ka qënë një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit Edi Rama në qarkun e Durrësit, duke e drejtuar Bashkinë për 3 mandate me radhë. Ai ka qenë një nga kryebashkiakët më të akuzuar nga kundërsharët politik, për manipulimin e zgjedhjeve përmes lidhjeve me bandat, megjithatë ai po përballet me drejtësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy raste që lidhen kryesisht me projekte në infrastrukturë. Dako u vetëdorëzuar në policinë e Tiranës, në datën 6 Qershor të vitit të kaluar, ndërsa la qelinë pak ditë më parë pasi i kanë kaluar afatet e paraburgimit. Ai do të qëndrojë nën masën e arrestit të shtëpisë, derisa të njihet me dënimin përfundimtar të dhënë nga GJKKO. Me gjasë shumica e dënimit, do t’i shlyhet me afatet e paraburgimit.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i dënuar
Në ndryshim nga Dako, Safet Gjici, i cili sapo kishte fituar mandatin e dytë si kryebashkiak në Kukës, tashmë është njohur me dënimin nga ana e GJKKO. Gjici u arrestuar në 24 Qershor të vitit të kaluar, pas publikimit të një videoskandali seksual, me protagoniste Alma Kaçin, e cila shfaqej duke i bërë seks oral, në këmbim të premtimit për të marrë një tender për strehimin e qenve endacakë. Gjici pretendoi gjatë gjithë kohës, se video ishte një kurth ndaj tij, e realizuar nga kundërshtarët politikë. Në përfundim të hetimeve, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi më 7 shkurt, deklarimin fajtor të Gjicit, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” lidhur me aferën seksuale në zyrën e tij dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet heqje lirie.
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, i dënuar
Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla dhe 8 persona të tjerë të u gjetën fajtorë nga Gjykata e Posaçme, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikimit. Vendimi u dha në 28 Dhjetor të vitit të kaluar, ku Alla u dënua me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht do të vuajë 2 vite heqje lirie. Përveç ish-kryebashkiakut janë dhënë vendimet edhe për: Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Erion Isaku, Leonard Daçi, Rasim Daci, Aqif Konesha dhe Dali Gazidedja. Vetë Alla do të shprehej se ai kishte hequr dorë nga benefitet si biznesmen, për t’iu shërbyer qytetarëve të Bulqizës, për të cilët sipas tij, shpesh kishte investuar dhe nga xhepi.
Ish-kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe, i dënuar
Fatos Tushe, ishte një prej kryebashkiakëve të parë që iu vunë prangat në zyrë, teksa ushtronte detyrën si i pari i qytetit në Lushnje. Gjykata e Posaçme e dënoi Fatos Tushen në vitin 2022, për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke i caktuar 3.6 vite burg. Tushe përfiton nga gjykimi i shkuruar dhe për pasojë do të vuajë 2 vite e 4 muaj burgim dhe 5 vite jashtë funksioneve publike. Ndërkohë ndaj tij u rrëzua akuza për shkeljen e barazisë në tendera.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, piruetat me drejtësinë
Agim Kajmaku, është një prej të zgjedhurve vendorë që është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi i është gjetur një sasi e madhe kokaine në shtetin italian. Në Shqipëri, SPAK nuk nisi kurrë një hetim pasuror ndaj tij, megjithëse në Prokurorinë e Tiranës, ka pasur hetim për falsifikim dokumentesh të të zgjedhurve vendorë, vepër që tashmë hetohet nga SPAK.
Kajmaku u ndalua në maj të vitit 2022 nga policia italiane, pasi së bashku me një të afërmin e tij, iu gjetën rreth 20 kilogramë kokainë e fshehur në vazo me lule. Ndaj Kajmakut ka pasur një tjetër proces penal në Shqipëri. Ai arrestua në 6 maj të vitit 2020, pasi Prokuroria e Tiranës e kishte shpallur në kërkim prej muajit nëntor 2019 për “shërdorim detyre”, “falsifikim të formularëve”, si dhe një akuzë të tretë për “kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”. Por, gjykata e liroi pas dy ditësh duke përdorur si argument ndër të tjera edhe gjendjen e tij shëndetësore dhe caktoi masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje”.
Ish- kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, i dënuar
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi në datën 6 tetor 2023 të deklarojë fajtorë për “shpërdorim detyre” ish-kryetarin e Bashkisë së Fushë Arrëz, Fran Tuci dhe ish Administratorin e Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku, të cilët akuzohen se lejuan ndërtimin e një rruge pa leje përkatëse, që ka sjellë pasojë shkatërrimin e një fondi pyjor me vlerë 234 milionë lekë. Po ashtu, është deklaruar fajtor për “ndërtim të paligjshëm” aksioneri i shoqërisë që ka kryer punimet, Durim Margjekaj. Fran Tuci ka qenë kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit nga viti 2015 deri në zgjedhjet e majit 2023 kur humbi në garën për mandatin e tretë përballë kandidatit të opozitës Hilë Curri.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, i pandehur
Edison Memolla, kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës, është marrë i pandehur nga SPAK në Tetor të vitit 2023. Ai është hetuar nga Prokuroria e Posaçme, për korrupsion në zgjedhje. Bëhet fjalë për zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022 në Bashkinë e Rrogozhinës në lidhje me një material audio. Sipas këtij materiali audio, Memolla i kërkoi elektriçistit të zonës në Rrogozhinë që të mos i shkëpuste energjinë elektrike një zonje që nuk kishte kryer pagesën e dritave, deri sa të kalonte muaji i zgjedhjeve. Ndaj tij nuk është dhënë ende një dënim nga ana e GJKKO-së.
Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i dënuar
Kryebashkiaku i Kuçovës Kreshnik Hajdari u dënua në Janar të këtij viti me 9 muaj burg për fshehjen e një dënimi në Greqi, në vitin 1999. Dënimi, i ulur në 6 muaj prej gjykimit të shkurtuar, iu konvertua në 150 orë punë në komunitet, ndërsa avokati i tij tha se dënimi nuk ndikon në detyrën e tij në krye të bashkisë. Por nëse apeli, lë në fuqi vendimin, Hajdari rrezikon humbjen e mandatit. Ndaj tij ka pasur vazhdimisht akuza për lidhje me biznesmenë të zonës, dhe abuzim me tenderat.
Kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Mema, nën hetim
Mema ka qenë e akuzuar fillimisht në Prokurorinë e Beratit, e cila ka shpallur moskompetencë. Dosja për Memën ka kaluar në SPAK, në vitin 2022. Ajo akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifimkim dokumentash”. Ajo është kallëzuar nga një qytetar për prishje të pronës në mënyrë abuzive, ndërsa deri tani nuk është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.
Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli, nën hetim
Rakip Suli i cili arriti që të merrte një mandat të dytë në Kamëz, u paraqit dy herë brenda muajit Nëntor të vitit të kaluar në SPAK, pas akuzave për abuzim me tenderat e Rindërtimit. Ndaj Rakipit Sulit dhe zyrtarëve të tjerë, SPAK po kryen hetimet për disa vepra penale, siç janë “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Kryebashkiaku në detyrë i Himarës Jorgo Goro, nën hetim
Jorgo Goro, i cili ushtron detyrën si kryebashkiak i Himarës, edhe pse humbi në zgjedhjet e Majit të vitit të kaluar, është paraqitur disa herë në SPAK, nën dyshimet se ka abuzuar me detyrën. Ndaj Jorgo Goros ka dy gjetje, kryesorja është ajo e raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka evidentuar disa dyshime në lidhje me shkeljen e barazisë në tendera por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës ku Goro mbante postin dhe mandatin e tretë të kryebashkikakut të Himarës.
Gjithashtu këtyre gjetjeve, i është bashkangjitur edhe një kallëzim nga Fredi Beleri, i cili nga paraburgimi ka përforcuar zërat jo vetëm për shpërdorim detyre, por këmbëngul se ka edhe shkelje të tjera në lidhje me detyrën dhe kompetencat e Goros si kryebashkiak i Himarës. Fredi Beleri është arrestuar pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Ish-kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj, i dënuar
Kryetari i Bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj është dënuar nga GJKKO në Shkurt të vitit 2023, me 6 muaj burg që konvertohet me 40 orë pune për interes publik. 49-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”. Kryebashkiaku socialist i denoncuar nga Partia Demokratike, u dënua në vitin 2000 me vendim të formës së prerë nga një gjykatë greke, me 3 vite burg për rrahjen e një personi.
Kryetarja e Bashkisë Rroskovec, Majlinda Bufi, e akuzuar
Majlinda Bufi mund t'i shtohet listës së gjatë të kryebashkiakëve socialistë që kanë përfunduar pas hekurave. Ndaj saj ka një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme pas një videoje të shfaqur në një emision investigativ pak muaj më parë, ku kryebashkiaja e Roskovecit shihej teksa i bënte presion me shkarkim nga puna një sanitareje për arsyen se kishte marrë pjesë në një miting të opozitës. Materialet e emisionit janë marrë nën administrim nga ana e SPAK, ndërsa deri tani vetë Bufi nuk është thirurr për t’u marrë në pyetje.
Kryebashkiaku i Skraparit, Adriatik Mema, i akuzuar
Mema, i cili e drejton Bashkinë e Skraparit prej 4 mandatesh, është kallëzuar në SPAK nga avokati Arben Llangozi. Kryebashkiaku i Skraparit Adriatik Mema, akuzohet për kryerjen e vepraver penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas kallëzimit panal të depozituar në SPAK, kryebashkiaku Mema ka favorizuar nëpërmjet mosveprimit Shoqërinë “Topi – Eki” sh.p.k. dhe shtetasin Anesti Topi, të cilët po ashtu janë kallzuar në SPAK dhe akuzohen për veprën penale të “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Kryebashkiaku i Kolonjës Erion Isai, i akuzuar
Erion Isai, i cili drejton Kolonjën në mandatin e tij të dytë, duke hedhur pas krahëve karrierën si aktor, është paraqitur në SPAK vitin e kaluar. Pak pasi të fitonte zgjedhjet për herë të dytë, në majin e vitit te kaluar, Isai është thirrur të dëshmojë për hetimet që po kryen në lidhje me ndërtimin e një aksi rrugor në zonën e Ersekës.
Kryebashkiakja e Patosit Rajmonda Balili, nën hetim nga SPAK
Rajmonda Balili akuzohet nga SPAK për shkelje të bazarisë në tendera në kohën kur ishte kryebashkiake e Patosit. Me urdhër të SPAK, ajo u pezullua nga detyra që mbante si prefekte e qarkut të Fierit. Balilaj, e cila është edhe anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste po hetohet nga SPAK pasi gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë Patos paracaktoi kompaninë “Genti 001′ fituese para se të zhvillohej tenderi.
Bëhet fjalë për një kompani e cila rezulton me pronar 100% të aksioneve Ilir Dervishaj e cila, sipas SPAK, për tre vite rresht (2019- 2022) është shpallur fituese në 32 procedura prokurimi të organizuara nga Bashkia Patos.
Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, nën hetim
Kryebashkiaku i Bashkisë së Tropojës Rexhë Byberi është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se Byberi është denoncuar nga banorët e zonës për favorizim të familjarëve dhe shpërdorim detyre. Në denoncimin e bërë në SPAK nga 300 banorë, thuhet se Byberi ka favorizuar të afërmit e tij, duke shkelur hapur ligjin për konfliktin e interesit.
Kryebashkiakët që i bashkojnë inceneratorët
Gentian Llatja i Elbasanit, Armando Subashi i Fierit dhe Emirjana Sako e Durrësit, janë kryebashkiakët socialistë që janë akuzuar publikisht për aferën e inceneratorëve. I vetmi që është marrë në pyetje nga SPAK, është Subashi, i cili nuk ka qenë pjesë e dosjes së personave të dënuar për inceneratorin e Fierit.
Nëse hetimet e SPAK do të avancojnë për një pjesë të të zgjedhurve në Bashkitë e vendit, shumë prej tyre rrezikojnë që të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja, njësoj siç ndodhi një vitin 2022, ku u mbajtën zgjedhje të pjesshme në 6 Bashki. /ZËRI