
TIRANË- Si zakonisht për çdo të hënë, Partia Socialiste ka mbledhur edhe sot në Kryesinë e Kuvendit, grupin parlamentar të deputetëve. I pranishëm në mbledhjen e sotme ishte edhe kryeministri dhe njëherazi edhe kryesocialisti, Edi Rama. Gjatë mbledhjes së sotme, burime për ZËRI kanë bërë me dije se Rama iu ka kërkuar deputetëve që të intensifikojnë punën në parti, ndërkohë që edhe vetë prej javësh është marrë me anëtarësimet e reja, duke bërë tur në çdo qytet të vendit.
Në mbledhjen që zgjati më shumë se 2 orë, në fjalën e tij, drejtuar deputetëve kryeministri Rama kërkoi që të vijohet puna në terren dhe të intensifikohet komunikimi me anëtarët e këtyre organizatave dhe qytetarët në çdo zonë. Por vetë, zgjodhi që të mos e komentonte marrëveshjen që pak ditë më parë kishte arritur me demokratët për rikthimin e normalitetit në Kuvend. Këtë detyrë e mori përsipër kreu i grupit, Bledi Çuçi, informoi ndërkohë deputetët për rikthimin e Parlamentit në normalitet duke theksuar se s'ka asnjë marrëveshje me Partinë Socialiste, duke shtuar se as do të krijohet ndonjë nënkomision ose strukturë e posaçme.
"Nuk ka pasur marrëveshje por është tentuar dialog. Nuk do të krijohet ndonjë nënkomision ose strukturë e posaçme në kuvend. Në komisionin e ligjeve, një mekanizëm dialogu për ligjet që duan 3/5 e votave. Opozita u rikthye andej nga kishte ikur. Ramë dakord të ndryshojmë objektet e komisioneve hetimore në Konferencën e Kryetarëve,"-tha Çuçi në mbledhje. Në vijim të mbledhjes diskutimet u ndalën te projektligjet që janë në rendin e ditës për seancën e së enjtes, ku mes të tjerash pritet të kalojë edhe Akti Normativ për ndryshimet në Ligjin e Buxhetit, projektligji "Për Sigurinë Kibernetike", "Projektligji për disa ndryshime në Ligjin për Gardën e Republikës".

Më pas, Rama i pari ka dalë nga mbledhja për të vijuar me axhendën e tij, por para i ka dalë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Ata janë fotografuar teksa diskutojnë bashkë me tone të qeta, në përfundim të mbledhjes së grupit. Por se çfarë kanë diskutuar mes tyre, kjo nuk është mësuar./ZËRI