
TIRANË- "Deputetët, përfaqësuesit tuaj nuk ndoqën rrugën e vjetër, por çelën një rrugë të re fitimtare,"-kështu e ka komentuar kryedemokrati Sali Berisha marrëveshjen e arritur mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Por duket se edhe fjala apo "bekimi" i tij nuk i ka bindur të gjithë demokratët. Revoltën e tij e ka shprehur publikisht jo vetëm Ervin Salianji, por edhe Dashnor Sula. Edhe ai ka vendosur që të bashkohet rreshtit të zërave kritikë, duke paralajmëruar edhe "divorcin" me Partinë Demokratike.
"Nëse do shikoj që është e pamundur bashkëjetesa me grupin parlamentar apo brenda strukturave të Partisë Demokratike, ku mund të mbyllen hapësirat e zërit dhe debatit, sigurisht do rishikoj dhe unë qasjen time si opozitar, me forca të tjera opozitare progresiste. PS dhe Rama çfarë po na jep ne s’po na jep asgjë, ne po marrim ato ç’ka na takojnë na i jep kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit për komisionet hetimore. Por dëmi është bërë i madh,"-tha ai në një intervistë për "TopChannel".
Të njëjtin qëndrim me të ka edhe Salianji dhe Tritan Shehu. Edhe ky i fundit e ka bërë publik në çdo dalje televizive qëndrimin e tij kundër, duke u shprehur se kjo marrëveshje dëmton kredibilitetin e opozitës në opinionin publik.
“Jemi në kushte ku të drejtat e opozitës janë më të kufizuara, pas një aksioni 5 mujor jemi në kushte ku ka ndryshuar rregullorja e Kuvendit, jemi në kushte ku jemi para një ligji që nuk i bën transparencë, që kufizon të drejtën e hetimit, ka nja 3 muaj që me ligjin e ri komisionet hetimore, me ligjin e ri të jep 8, kufizimi që i bëhet me dy anëtarët në nënkomisionet e posaçme apo ta quajmë si të duam është një hap pas në raport me të drejtat politike në këtë vend, janë dy palë politike dhe kostot do t’i mbeten PD, përderisa ne nuk bëhemi si lavjerrës një herë para një herë pas, do të jemi për konfirmimin e secilit prej qëndrimeve, koha do ta konfirmojë se me Edi Ramën asgjë nuk ndodh. Kjo marrëveshje na ul besueshmërinë dhe dëmton perceptimin e opozitës tek shoqëri dhe demokratët. Ne kemi një kërkesë e cila ka tre derivate, zbatimi i Kushtetutës, kërkesa për komisionet hetimore,”- tha Salianji. Ndërsa Shehu, tha se aksioni opozitar duhet që të përfundojë vetëm me lirimin e kryedemokratit Sali Berisha, i cili është ende nën masën e sigurisë, "arrest shtëpie".
Por qëndrim krejt të kundërt ka Luan Baçi, i cili e sheh si fitore njohjen e grupit të Rithemelimit, si faktori kryesor opozitar në Kuvend.
"Kanë pranuar në konferencë kryetarësh zotin Bardhi si kryetar te grupit parlamentar të PD e kryetar profesor doktor Sali Berishën e theksoj këtë. Ky është përfaqësimi, realiteti politik i ri i krijuar. Shqetësim i deputeteve kritik është se opozita pranoi të hetojë shumicën me rregullat e kësaj të fundit, duke rrëzuar poshtë gjithë betejën 5 mujore."
Mirëpo pretendimet e opozitarëve se kushtet e ngritjeve të dy Komisioneve Hetimore nuk janë të favorshme, i ka sfiduar edhe njëherë kryedemokrati Berisha. Nga dritarja e banesës së tij, ai e ka ftuar kryeministrin Edi Rama që të përballen sërish me njëri-tjetrin. Kësaj herë i kërkon që të justifikojnë të dy para kolegëve pasurinë e tyre.
"Sali Berisha për Edi Ramën është i gjithëfuqishmi, është fundi i tij, ndaj dhe sot u tha anëtarëve të kupolës së krimit se ata që numërojnë udhëtimet e mia me çarter dhe bërtasin për miliona euro të shpenzuara, edhe pse sot shpenzimet e mia janë më pak se ato të paraardhësit tim. Le të ndalemi pak këtu miq! Nëse të ka mbetur, i them atij, por absolutisht nuk i ka mbetur, qoftë edhe një nonagram guxim, kurajo, integritet hajde të krijojmë komision hetimor qytetar. Zgjidh ti 5 deputetë të partisë tënde dhe 5 deputetë demokratë. Zgjidh ti 5 socialistë jashtë parlamentit dhe 5 demokratë jashtë parlamentit dhe të bëjnë një hetim të plotë për çdo gjë për Edi Ramën dhe Sali Berishën. Edi Rama ti s’mund ta pranosh kurrë këtë, ti nuk e pranon dot kurrë këtë. Se Sali Berisha pas 53 viteve punë, me kursimet e rrogës së vet dhe bashkëshortes ka arritur të ketë 37 metër katrorë sipërfaqe banimi më shumë se ajo që ka patur në vitin 1987. Edi Rama se bën dot ti se në vitin 2009 kishe të deklaruara në ILKP, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Ndërkohë ndërtojë sarajet me gjatësi themelesh 57 metra, sa një pallat. Hajde pra Edi Rama ti kontrollojmë të gjitha llogaritë, edhe ato ofshore edhe këto onshore, edhe ato ku i ke fshehur edhe këto në Tiranë. Edi Rama është koha të hetohemi,"-tha Berisha sot, por ende nuk e ka marrë një përgjigje nga kreu i qeverisë.
Ndërkohë që Berisha pret ende përgjigje nga Rama, brenda selisë blu, duket se ka nisur sërish përçarja./ZËRI