Aktualitet

SPAK ngre akuzë për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla

Edison Memolla, përmes një telefonate, i kërkoi të mos i ndërpriste energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij.

k.m.
SPAK ngre akuzë për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla
Edison Memolla

TIRANË- Edison Memolla akuzohet se ka kryer "korrupsion aktiv në zgjedhje", vepër penale që dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vite heqje lirie. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka çuar për gjykim çështjen e Memollës, i cili akuzohet se gjatë kohës që garonte për zgjedhjet e pjesshme lokale që u zhvilluan më datë 6 mars 2022, ndërhyri tek një elektriçist i OSHEE. Memolla, përmes një telefonate që bëri me të, i kërkoi të mos i ndërpriste energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij. Po ashtu, sërish me Blerim Xhamanin, Memola është kapur teksa flet për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, sërish në këmbim të votës.

Përveç Memollës, ka edhe tre të akuzuar të tjerë: 

- Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal;

- Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal;

- Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal;

- Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Tafxhafa, sipas SPAK, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të Memollës, ndërsa sërish Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor. 

BISEDA TELEFONIKE E ZBARDHUR:

Kryetari: Alo!

Elektricisti: Urdhëro…

Kryetari: O Rim, ça bën o, a do ia prisni, po lene të kalojë këtë muaj o burrë…

Elektricisti: Po e kaloj këtë muajin, po muajin tjetër?!

Kryetari: Po muajin tjetër, shohim e bëjmë… Shif t’i matrim ato, ça kemi me i marrë, se jemi në zgjedhje…

Elektricisti Rimi: E di, e di, po ça të bëjmë ne…

Kryetari: Po hajde se ia jap unë një muaj, sa lek ka…

Elektricist Rimi: Po ajo ka pesë muaj, sikur ka një muaj ajo…

Kryetari: Po paguaj një unë, pastaj të tjerat sa t`ia shtysh në qoftë se ke ndonjë problem aty…

Elektricisti Rimi: Problem e kemi ne se na kanë heqë nga dy javë të punës…

Kryetari: Pse, pse s`keni pre eee…

Elektricisti Rimi: Po…

Kryetari: Hajde se do diskutojmë një çikë me Edin, lëre sot, se do flas çik me Edin unë….

Elektricisti Rimi: Mirë..

Kryetari: Apo e ke raportuar ti?

Elektricisti Rimi: Për sot e kam lënë vetë unë e nja dy-tre ditë..

Kryetari: E mirë, të flas me Edin unë, të flasi me ato të mëdhenjtë që të mos iu bezdisin…

Elektricisti Rimi: Mirë po iki…

Kryetari: Hajde…

NJOFTIMI I PLOTË I SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.57 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve: Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal; Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal; Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal; Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal. Ky procedim penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla – kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është  provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022. Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.

Por kjo nuk është e vetmja çështje që po hetohet nga SPAK. Herën e fundit që Memolla ishte në SPAK, më 19 Tetor, u zbulua se ai po hetohet pas denoncimeve se kanë abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime fiktive mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti. SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB